Meta nis konsultat për datën e zgjedhjeve

08:41 | 2 Shtator 2020
Arbresh.info

Teksa partitë politike kanë ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Presidenti Ilir Meta do të nisë të premten konsultimet për datën e mbajtjes së tyre.

Përmes një letre drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të dy selive, asaj të PS e PD-së, kreu i shtetit ka ftuar në takime të veçanta Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Takimin e parë, Presidenti Meta do ta mbajë në orën 11:00 me kreun e qeverisë, ndërsa një orë më pas, në 12:00 do të presë edhe kryedemokratin Basha.

Burime të Tv Klan pranë Partisë Socialiste konfirmojnë se mazhoranca do të marrë pjesë në takim por mbetet për t’u parë se cili do të jetë niveli i përfaqësimit, nëse në zyrën e kreut të shtetit do të ngjitet Kryeministri Rama apo kreu i grupit kuvendor të socialistëve, Taulant Balla.

Sakaq edhe demokratët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Burimet nga selia blu konfirmojnë se Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Meta për të qenë i pranishëm në takimin e orës 12:00 të së premtes.

Me ndryshimet e reja në kodin elektoral, mazhoranca dhe opozita ranë dakord që të ketë dy periudha zgjedhore nga 15 Prilli deri në 15 Maj dhe nga 15 Shtatori në 15 Tetor.

Por për shkak se zgjatja përtej mandatit është antikushtetuese, data e mbajtjes së zgjedhjeve do të jetë ajo mes 15 Prillit deri në 15 Maj.

Më herët, Presidenti Meta i revoltuar nga qëndrimi i palëve në tryezën e këshillit politik është shprehur se nuk do t’i thërrasë për konsulta Ramën e Bashën.

Madje gjatë konferencave të tij të përjavshme, kreu i shtetit ka deklaruar se është gati të dekretojë si datë zgjedhjesh të dielën e parë brenda kësaj periudhe, që përkon me datën 18 Prill./tvklan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme