Presidenti i Senatit të Çekisë zemëron Kinën, deklaroi se është tajvanez

11:24 | 1 Shtator 2020
Arbresh.info

Presidenti i Senatit të Republikës Çeke, Milos Vystrcil, e deklaroi veten tajvanez, teksa mbajti një fjalim në Parlamentin e Tajvanit.

Deklarata nxiti reagim të ashpër nga Kina.

Ky vend, i cili pretendon se Tajvani është territor i tij, tha se do të bëjë që Vystrcil “të paguajë çmim të lartë” për vizitën në ishull, transmeton REL.

Vystrcil e përfundoi fjalimin e tij në Parlamentin e Tajvanit duke iu referuar fjalimit të ish-nënpresidentit amerikan, John F. Kennedy, gjatë të cilit ai i tha Berlinit Perëndimor, të rrethuar nga komunistët, më 1963, se ai po ashtu është berlinas.

“Në vitin 1963, presidenti amerikan, John F. Kennedy, në fjalimin e tij të famshëm ‘Unë jam një berlinas’, kundërshtoi qartazi komunizmin dhe shtypjen politike, ndërsa mbështeti popullin e Berlinit Perëndimor”, tha Vystrcil.

“Ju lutem, më lejoni ta shpreh personalisht mbështetjen time për Tajvanin dhe vlerën themelore të lirisë dhe ta përfundoj fjalimin e sotëm me një deklaratë ndoshta më të përulur, por po aq të fortë: Unë jam tajvanez”, tha Vystrcil, duke e thënë frazën e fundit në gjuhën mandarine.

Vystrcil, i cili po viziton ishullin me një delegacion politikanësh dhe biznesmenësh, tha se vizita në Tajvan nënvizon politikën e jashtme, “të bazuar në vlera”, të vendosur nga presidenti i ndjerë i Çekisë, Vaclav Havel, një disident anti-komunist.

Ashtu si shumica e vendeve, Qeveria çeke e njeh zyrtarisht politikën “Një Kinë”, sipas së cilës, Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij.

Por, Vystrcil është anëtar i opozitës së qendrës së djathtë dhe nuk është i lidhur me protokollin diplomatik.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se Kina do ta bëjë Vystrcilin “të paguajë çmim të lartë për sjelljen e tij dhe spekulimet politike”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme