Google ADS

Zgjerimi i Greqisë me 12 milje, ministri i jashtëm grek flet për negociata me Shqipërinë

00:36 | 1 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka konfirmuar për mediat greke se së shpejti do të fillojnë negociatat me Shqipërinë për kufirin detar.

Dendias thotë se përmes dialogut, që do të nisë së shpejti, do të ketë marrëveshje edhe me Shqipërinë, ashtu si me Egjiptin dhe Italinë.

“Greqia ka dëshmuar se promovon dialog me të gjithë fqinjët e saj pa përjashtim. Përmes dialogut të sinqertë kemi arritur marrëveshjet me Egjiptin dhe Italinë dhe përmes dialogut kemi arritur nënshkrimin e marrëveshjes së mbrojtjes me SHBA. Përmes dialogut, i cili do të fillojë së shpejti, ne do të arrijmë një marrëveshje edhe me Shqipërinë”, tha Dendias që sqaroi edhe deklaratën për shtrirje me 12 milje në detin Jon.

“Kryeministri njoftoi të mërkurën e kaluar nga foltorja e parlamentit grek, shtrirjen e ujërave tona territoriale në 12 milje detare në Detin Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez. Zgjerimi i sovranitetit tonë kombëtar është një ngjarje historike për vendin.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri deklaroi pa hezitim se vendi ynë rezervon të drejtën për të ushtruar në të ardhmen, në zona të tjera detare, të njëjtën të drejtë për të zgjeruar ujërat e tij territoriale, sipas Ligjit të Detit dhe zbatimit të vijës së mesme. Greqia ka një strategji të qartë në këtë drejtim dhe po punon metodikisht për zgjerimin gradual të ujërave tona territoriale”, sqaroi më tej ai.

Ai shton se dialogu nuk do të ketë kërcënime, fyerje dhe provokime si me Shqipërinë ashtu dhe me Turqinë, pasi Greqia sipas Dendias, promovon dialogun.

“Ne diskutuam me Haiko Maas të dy mirëseardhjen që kemi për Gjermaninë për të luajtur një rol konstruktiv në de-përshkallëzimin e tensioneve të shkaktuara nga fqinji ynë, dhe pozicionin e vendosur të vendit tonë që ne jemi gjithmonë të gatshëm për dialog me Turqinë.

Unë isha i qartë, se nuk mund të ketë dialog nën kërcënime, fyerje dhe provokime ose kur të drejtat tona sovrane po shkelen. Deri më tani, sjellja sistematike delikuente e Turqisë i ka bërë deklaratat e saj rreth gatishmërisë për dialog, bosh dhe pretenduese.

Dialogu kërkon de-përshkallëzim dhe një kornizë të qartë të referencës që nuk mund të jetë askush tjetër përveç Ligjit Ndërkombëtar, Ligjit Detar Ndërkombëtar dhe rregullave të fqinjësisë së mirë. Nuk mund të ketë dialog jashtë këtij kuadri të vetëkuptueshëm” tha Dendias./abcnews.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme