Ministri Selimi i propozon Qeverisë tri projektligje për rritje dhe avancim të bashkëpunimit juridik

18:48 | 31 Gusht 2020
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka propozuar për aprovim tri projektligje në Qeverinë e Republikës së Kosovës me qëllim të rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, si njëri ndër elementet kyçe të forcimit të shtetit.

Në linjë me këto synime, Qeverisë i janë propozuar këto tri projektligje:

  1. Ligjit Nr.04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, ka për synim kryesor rritjen e efikasitetit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje të ekstradimit, transferimit të personave të dënuar dhe ndihmën juridike të ndërsjellët.
  2. Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e Personave të Dënuar. Kjo marrëveshje synon avancimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë në sferën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale.
  3. Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private ka për qëllim rregullimin e marrëdhënieve civile të natyrës familjare, trashëgimore, pronësore, sendore dhe tregtare me element të huaj, qoftë në subjekt, objekt apo në të drejta dhe detyrime. Ky projektligj pos që është në pajtim me standardet më të avancuara ndërkombëtare, heq nga rendi ynë juridik një ligj të ish- sistemit, atë për zgjidhjen e konfliktit të ligjeve të vitit 1982.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme