Google ADS

Mijëra izraelitë kërkojnë dorëheqjen e Netanyahut

08:53 | 30 Gusht 2020
Trina Galanxhi

Mijëra izraelitë kanë demonstruar në Jeruzalem, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Netanyahu është duke u gjykuar për korrupsion dhe po akuzohet se nuk i është përgjigjur si duhet krizës së pandemisë, transmeton portal arbresh.info

Protesta të vogla u mbajtën në pjesë të tjera të Izraelit në kryqëzime të mëdha dhe para shtëpisë së Netanyahu në qytetin bregdetar të Cezaresë.

Në protestën kryesore në Jeruzalem, protestuesit u mblodhën në hyrje të qytetit dhe marshuan për në rezidencën e Netanyahut duke mbajtur flamuj izraelitë, si dhe flamuj të zi që simbolizojnë një nga lëvizjet e protestës.

Ata gjithashtu mbanin pankarta që shkruanin “Mjaft ndarje” dhe “Kjo nuk është politikë, ky është krimi”.

Koalicioni qeverisës i Netanyahut ka mbijetuar përkohësisht dhe ka shmangur një ndarje të mundshme këtë javë pasi ishte rënë dakord me ish rivalin e tij, tani partnerin e koalicionit Benny Ganz, që votimi për buxhetin të shtyhej deri në dhjetor.

Kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit po nxit protesta sepse, pas sukseseve fillestare në ndalimin e përhapjes së infeksionit, Izraeli hapi ekonominë e saj shumë shpejt në maj, gjë që çoi në një rritje të mprehtë të numrit të të infektuarve.

Më shumë se 113,000 raste të infeksionit janë regjistruar në Izrael, dhe numri i të vdekurve është afër 1,000./reuters/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme