Google ADS

Skepticizëm për uljen e kriterit të kalueshmërisë në Testin e Maturës

11:39 | 29 Gusht 2020
Arbresh.info

Sot është duke u mbajtur Testi i Maturës shtetërore në të gjitha shkollat e Kosovës.

Në një prononcim për arbresh.info, drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Fetah Zejnullahu ka thënë se në këtë gjimnaz, testit i janë nënshtruar 319 maturantë në mësim në gjuhën shqipe ndërsa 16 në mësim në gjuhën turke.

Sa i përket datës se kur do të bëhet publikimi i këtyre rezultateve, Zejnullahu ka thënë se kjo është kompetencë e Ministrisë së Arsimit, ndërsa ka treguar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme kundër parandalimit të virusit Covid-19.

“Së pari objekti është pastru në detaje nga ana e stafit këtu, punëtorëve teknik, është bërë pastrimi gjeneral, pastaj është dezinfektu dhe dezinsektu shkolla, do të thotë edhe kundër gripave por edhe kundër insekteve, mandej kemi marr dezinfektues të cilët janë vendos nëpër salla gjithkund, maskat ata nxënës të cilën nuk i kanë posedu në hyrje janë shpërnda”, ka thënë Zejnullahu për arbresh.info.

Drejtori i këtij gjimnazi është shprehur skeptik sa i përket kriterit të kalueshmërisë i cili këtë vit është 40%, duke shtuar se për mendimin e tij ky test nuk duhet të ishte nën 50%.

“Kriteri i kalueshmërisë është 40% nuk e di çka të them, tash për mendimin tim ndoshta unë po e them të kundërt të cilën e mendojnë zakonisht në opinion, por unë e kisha thënë që nën 50% mos me qenë fare kriteri i kalueshmërisë”, është shprehur Zejnullahu.

Zejnullahu tha poashtu se në ora 10:00 është bërë shpërndarja e testeve e administruesve nëpër klasë dhe se deri në këto momente procesi është duke shkuar shumë mirë.

Ndryshe kriteri i kalimit në Provimin e Maturës vitin e kaluar ishte 50% nga rezultati i përgjithshëm i testit, duke përfshirë atë të ditës së parë dhe të dytë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme