Dy javët e kuvendeve politike ku dy partitë kryesore të Shteteve të Bashkuara emëruan kandidatët e tyre për president, mbyllen të enjten në mbrëmje me fjalimin e Presidentit Donald Trump, ku ai do të pranojë emërimin në Kuvendin Kombëtar Republikan.
Zoti Trump pritet ta mbajë fjalimin nga Kopshti Jugor i Shtëpisë së Bardhë, pasuar nga një shfaqje fishekzjarresh në shëtitoren kryesore të Uashingtonit.
Mes folësve të enjten në mbrëmje, do të jetë edhe kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, Senatori Tom Cotton, kreu i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy dhe vajza e presidentit, Ivanka.
Ndërkohë që vendi është përfshirë nga trazira të reja racore, Nënpresidenti Mike Pence u tha votuesve, “nuk do të jeni të sigurtë në Amerikën e Joe Bidenit,” duke sulmuar kandidatin demokrat për president se është partner i gatshëm i atyre që duan të shkurtojnë fondet për policinë.
“Joe Biden thotë se Amerika ka racizëm në sistem,” tha zoti Pence në natën e tretë të Kuvendit Kombëtar Republikan. “Dhe se në radhët e forcave të rendit ka ‘paragjykime të brendshme’ kundër pakicave. Dhe kur e pyesin nëse mbështet shkurtimin e fondeve për forcat e rendit, u përgjigj ‘Po, patjetër’,” tha zoti Pence.
“E vërteta e vështirë është se ju nuk do të jeni të sigurtë në Amerikën e Joe Bidenit,” tha zoti Pence në fjalimin që mbajti nga Fort McHenry në Baltimorë, një fortesë që ka hyrë në histori për betejën e vitit 1814 me trupat britanike. Gjatë betejës, një oficer amerikan u frymëzua dhe kompozoi këngën “Flamuri i Spërkatur me Yje,” që u bë himni kombëtar.
Ish-nënpresidenti Biden reagoi të enjten, gjatë një interviste në televizionin CNN, duke akuzuar republikanët dhe Presidentin Donald Trump se janë ata, që duan që të ketë dhunë.
“Vendi do të jetë shumë më i sigurt kur ai të mos jetë më president”, tha zoti Biden.
Ai shtoi se gjithmonë ka “denoncuar dhunën dhe plaçkitjet”.
Presidenti Donald Trump dhe shumë nga përkrahësit e tij kanë akuzuar zotin Biden se mbështet thirrjet e Lëvizjes BLM (Jetët e Afrikano-Amerikanëve Vlejnë ) si dhe të grupimeve të tjera liberale për të anuluar fondet për departamentet e policisë, një akuzë që zoti Biden e ka hedhur poshtë. Por zoti Pence u bazua në komente reale të rivalëve demokratë në zgjedhje, se Joe Biden dhe Kamala Harris janë shprehur hapur ndaj idesë për të reduktuar fondet për policinë dhe për të përdorur fondet e kursyera për agjenci komunitare që të angazhohen për të luftuar krimin.
Kandidati demokrat për president, Joe Biden flet në natën e katër të Kuvendit të Demokratëve.
“Nuk dua të anuloj fondet për policinë,” tha këtë muaj zoti Biden. “Dua të miratoj më shumë fonde për policinë për t’iu përgjigjur nevojave urgjente, që nga qasja tek metodat e ruajtjes së rendit në formë komunitare, tek punësimi i punonjësve socialë në departamentet e tyre, të psikologëve, të cilët të jenë në gjendje të merren me problemet e rënda që do të kërkonin diploma universitare për zgjidhje,” siç u shpreh zoti Biden.
Zëvendës menaxherja e fushatës së zotit Biden, Kate Bedingfield tha në një deklaratë të mërkurën se zoti Pence në fjalimin e tij përdori vetëm “taktika frikësimi të diskredituara dhe manipulim në një përpjekje për të na përçarë edhe më shumë”. Ajo tha se zoti Pence pothuajse nuk e përmendi “virusin që po vret mijëra amerikanë çdo javë”, dhe uraganin e fuqishëm që po i afrohet brigjeve amerikane.
Emërimi
Zoti Pence pranoi zyrtarisht emërimin si kandidat i republikanëve për një mandat të dytë si nënpresident. Së bashku me të shoqen, Karen, në prani të rreth 150 vetëve, zoti Pence u betua se ai dhe Presidenti Trump do të “qëndrojmë përkrah atyre që veshin uniformën blu dhe nuk do të ndalim fondet për policinë, as tani, as kurrë!”.
Turma e mbledhur, shumë prej tyre veteranë të ushtrisë, ishin ulur pranë njëri-tjetrit, pa shumë distancë, pa maska, siç e kërkojnë rregullat për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Në mes të punimeve të kuvendit, trazirat racore kanë përfshirë qytetin Kenosha në Uiskonsin ku policia të dielën qëlloi 29-vjeçarin Jacob Blake duke rindezur revoltimin e aktivistëve që kanë demonstruar prej muajsh me thirrjet për drejtësi racore.
Një 17-vjeçar u arrestua në shtetin e Ilinoit nën dyshimet për vrasjen e dy protestuesve dhe plagosjen e një të treti.
Dyshja konkurrente republikane Trump dhe Pence, si dhe një numër figurash republikane që e kanë marrë fjalën gjatë kuvendit kanë theksuar se administrata është një përkrahëse e fortë e forcave të rendit, përballë protestave të dhunshme që kanë shpërthyer kundër dhunës dhe padrejtësive racore ndaj pakicave që nga vdekja më 25 maj e George Floyd-it në Mineapolis gjatë arrestit.
Në Kenosha të Uiskonsit, protestat u bënë të dhunshme pasi policia qëlloi me armë zjarri, afrikano-amerikanin Jacob Blake.
Nënpresidenti Pence deklaroi: “Dhuna duhet të ndalet, qoftë në Mineapolis, në Portland apo në Kenosha,” duke shtuar se administrata Trump do të garantonte “ligjin dhe rendin” për çdo qytetar.
Në komentet e tij, ai tha “Presidenti Trump dhe unë e kemi të qartë se burrat e gratë që mbajnë uniformat e rendit janë njerëzit më të mirë që kanë dalë prej nesh. Ata vënë jetën në rrezik çdo ditë”.
“Populli amerikan e di se nuk na kërkohet të zgjedhim mes përkrahjes për forcat e rendit dhe mbështetjes së afrikano-amerikanëve që janë fqinjët tanë për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytetet tona. Që nga dita e parë e administrates Trump, i kemi bërë të dyja dhe do të vazhdojmë edhe për katër vjet të tjera në Shtëpinë e Bardhë,” tha ai.
Presidenti, Zonja e Parë përshëndesin Kuvendin
Pas fjalimit të nënpresidentit Mike Pence, në skenë u ngjitën Presidenti Donald Trump, Zonja e Parë, Melania Trump, dhe gruaja e nënpresidentit, Karen Pence. Ata vunë dorën në zemër, ndërsa dëgjonin himnin amerikan.
Pas fjalimit të zotit Pence, Presidenti dhe Zonja e Parë hipën në podiumin e ngritur në Fortesën “Fort McHenry” për të përshëndetur nënpresidentin dhe bashkëshorten e tij dhe për të dëgjuar këngëtarin e muzikës Country, Trace Adkins në interpretimin e himnit kombëtar.
Të mërkurën e mori fjalën edhe Kellyanne Conway, një nga këshilltarët kryesorë të Presidentit Trump, e cila brenda pak ditësh pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë për të shpenzuar më shumë kohë me familjen dhe katër fëmijët e saj.
Duke folur për presidentin, ajo tha se ai është një individ që “zgjedh betejat më të vështira dhe do të luftojë për ju”.
Lista e figurave republikane që morën fjalën të mërkurën përfshinte edhe senatorët Marsha Blackburn nga Tenesi dhe Joni Ernst nga Ajova, si dhe Richard Grenell, ish-drejtor në detyrë i zbulimit kombëtar.
Anketat tregojnë se zoti Biden kryeson me një epërsi mesatarisht prej 7.6 për qind, sipas një analize anketash nga faqja “Real Clear Politics”. Megjithatë epërsia e zotit Biden është më e vogël në disa shtete të pavendosura, që edhe këtë radhë mund të jenë vendimare për rezultatin e zgjedhjeve.
Në katër dekadat e fundit vetëm dy presidentë amerikanë nuk kanë arritur të zgjidhen për një mandat të dytë, Jimmy Carter në vitin 1980 dhe George H.W. Bush në vitin 1992./VOA
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?