Kina lëshon raketa balistike në det, paralajmërim SHBA-së

13:41 | 27 Gusht 2020
Arbresh Info

Vendet e Azisë Juglindore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i druhen një konflikti aksidental me Kinën për shkak të pretendimeve të saj territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Të mërkurën, Pekini mësohet se lëshoi disa raketa balistike në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor që pretendon se i takon.

Veprimi erdhi si përgjigje ndaj fluturimeve ushtarake të kryera nga avionët amerikanë në një hapësirë të palejuar kineze, ndërkohë që Uashingtoni pak orë më parë njoftoi edhe sanksione për 24 kompani dhe shtetas të cilët kanë rol në militarizimin e disa ishujve artificialë kinezë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, thotë se Kina po kanos shtetet e vogla fqinje.

Mark Esper: “Ne shohim që Azia Juglindore, dhe sidomos Deti i Kinës Jugore, është zona ku Kina duket se i tregon më shumë muskujt e saj dhe sillet më keq. Kemi parë si i kërcënon 9 vendet përqark pse nxjerrin minerale dhe naftë nga zonat e tyre ekonomike, se si anijet kineze peshkojnë në ujërat e tyre territorialë. Nën lidershipin e Partisë Komuniste Kineze, Pekini vazhdimisht shkel zotimet ndërkombëtare, edhe pse vazhdon të korrë të mirat e tregut të lirë global.”

Uashingtoni e akuzon Pekinin se kërkon të shfrytëzojë e vetme rezervat e gazit dhe naftës në një hapësirë detare në juglindje të saj ku çdo vit qarkullojnë rreth 3 trilionë dollarë mallra.

Tajvani, Filipinet, Malajzia, Vietnami dhe Brunei po ashtu kanë pretendime për territorin detar.

Presidentja tajvaneze i sheh lëvizjet e fundit të Kinës si veprime të kryera për ta detyruar republikën e saj demokratike që t’i nënshtrohet sërish sovranitetit kinez.

“Presim dhe shpresojmë që Pekini të vazhdojë të ushtrojë vetëpërmbajtje siç ia kërkon qenia e saj një fuqi madhore rajonale. Vazhdon të ketë rreziqe potenciale për aksidente për shkak të aktivitetit të shtuar ushtarak në rajon. Palët duhet të mbajnë linjat e komunikimit për të evituar keqinterpretimet.”

Kina të enjten i kërkoi SHBA-së të mos ndërhyjë në punët e brendshme dhe dënoi sanksionet amerikane.

Raportet mes dy vendeve mbeten në pikën më të ulët prej dekadash, si pasojë e përplasjeve për origjinën e koronavirusit të ri, akuzave të Uashingtonit për praktikat e padrejta tregtare të Pekinit, dhe së fundmi debatet për Hong-Kongun, Detin e Kinës Jugore dhe Tajvanin.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme