Iniciativa e presidentit, Hashim Thaçi, në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar po vlerësohet si e panevojshme nga juristët, derisa Bashkimi Evropian po pret vazhdimin e mandatit nga institucionet e Kosovës, raporton arbresh.info.
“Ne presim që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë të mbështesin përkushtimin e tyre ndaj sundimit të ligjit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thotë për arbresh.info, Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri.
Sipas saj, kjo përfshin respektimin e të gjitha dispozitave në Ligj dhe Kushtetutë, të cilat përcaktojnë qartë mandatin dhe punën e KSC / SPO.
Portali arbresh.info, ka kontaktuar edhe me Angela Griep, Shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara, duke e pyetur se sa është urgjente thirrja për vazhdimin e mandatit të Dhomave të Specializuara nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Nuk mund të komentojmë nga ana jonë”, është shprehur Griep për arbresh.info.
Por, drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se Amendamenti Kushtetues lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, por edhe Ligji mbi Dhomat e Specializuara dhe Marrëveshja mes Kosovës dhe Holandës e përcaktojnë në mënyrë të qartë se në mungesë të një njoftimi nga Këshilli i BE, lidhur me përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale, nënkupton se mandati i saj vazhdohet në mënyrë automatike dhe pa pasur nevojë për vazhdimin e saj nga Kuvendi i Kosovës.
“Në këtë drejtim, iniciativa e Presidentit Thaçi është e panevojshme dhe e pazbatueshme, dhe Kuvendi i Kosovës nuk mundet të trajtojë një kërkesë të tillë. Ushtarët e UÇK, veteranët e luftës por edhe qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë presion tek politika në Kosovë por edhe institucionet e drejtësisë që të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre në raport me hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, duke rritur kërkesën që të ndalet praktika e amnistimit të krimeve të luftës nga aparati shtetëror serb në Kosovë”, vlerëson Miftaraj.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të zgjasin mandatin Dhomave të Specializuara në Hagë.
Thaçi ka thënë, se shpreson se deputetët do ta mbështesin këtë kërkesë të tij, shkruan arbresh.info.
“Sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte si dhe rruga e pastrimit të njolla të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë dhe veçanërisht mbi UCK-në, nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë”, pati deklaruar ai.
Gjykata Speciale në Kosovë është produkt i Kuvendit të Kosovës dhe kërkesë ndërkombëtare, dhe sipas ekspertëve çdo iniciativë që mund të pengoj punën e këtij mekanizmi do të këtë pasoja për Republikën e Kosovës./E.Ballazhi/arbresh.info/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...