Zëvendëskryeministri Selmanaj priti në takim përfaqësues nga sektori i industrisë së përpunimit të metalit

17:19 | 26 Gusht 2020
Arbresh Info

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Republikës së Kosovës Driton Selmanaj, ka pritur në takim përfaqësues nga sektori i industrisë së përpunimit të metalit, me të cilët ka diskutuar për sfidat e shtuara që po përjeton ky sektor në situatën e pandemisë COVID-19.

Në këtë takim, Zëvendëskryeministri Selmanaj u njoftua për punën, vlerën dhe rëndësinë ekonomike që përbën sektori i industrisë së përpunimit të metalit në Republikën e Kosovës, si dhe rreth problemeve në të cilat hasin bizneset e këtij sektori. Ai, theksoi rëndësinë e madhe që kjo industri ka për zhvillimin ekonomik të vendit, duke potencuar edhe mundësitë e mëdha që ka industria e përpunimit të metalit, për eksportin e produkteve drejt tregut Evropian.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj u zotua që Qeveria e Republikës së Kosovës përmes pakove për rimëkëmbje ekonomike do të ketë trajtim të veçantë ndaj bizneseve vendore, duke i konsideruar ato si burime të vetme të zhvillimit ekonomik të vendit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme