Google ADS

Menaxheri i parë i Messit: Leo e ka zgjedhur tashmë ekipin e ri

10:20 | 26 Gusht 2020
A. B.

Josep Maria Minguella, i cili ishte menaxher i Lionel Messit në fillim të karrierës së tij në Barcelonë, ka zbuluar se superylli argjentinas ka vendosur t’i bashkohet Interit gjatë kësaj vere, për arsye të caktuara.

Messi e tronditi Barçën dhe botën e futbollit të martën kur e njoftoi bordin e klubit se ka për qëllim të largohet këtë verë, pavarësisht se ka marrëveshje me klubin për të qëndruar deri në verën e vitit 2021.

Barcelona është përgjigjur duke i kërkuar atij të qëndrojë në klub të cilit iu bashkua si adoleshent para 20 vjetëve.

Në marrëveshjen e Messit me Barçën ekziston një klauzolë që ia mundëson atij largimin si lojtar i lirë çdo vit. Por për ta arritur këtë, argjentinasi duhet ta njoftojë klubin nga muaji maj deri në qershor, gjë që ai nuk e ka bërë.

Derisa nuk dihet se cili klub do të jetë në gjendje ta përballojë afrimin e tij, me Manchester City, PSG dhe Manchester United në garë, Minguella mendon se tashmë është e vendosur.

“Për mua, Messi tashmë e ka një ekip: Interin”, tha Minguella.

Ekziston një argument i fortë për Messin që t’i bashkohet Interit, sipas tij, fakti që në Itali taksat janë shumë më të vogla se në Angli, për shembull.

“Në Itali paguan më pak taksa. Për këtë atje është edhe Cristiano Ronaldo. Është e vështirë që ai të shkojë në Angli, pavarësisht se atje e ka mikun Kun Agueron dhe trajnerin Pep Guardiola”, shtoi ai. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme