Vdes gazetari kosovar, Kastriot Shehdadi

19:44 | 25 Gusht 2020
Arbresh.info

Dega e partisë Alternativa në Gjakovë ka njoftuar për vdekjen e gazetarit dhe zyrtarit komunal, Kastriot Shehdadi.

Kjo parti, vdekjen e Shehdadit e ka cilësuar humbje për gazetarinë dhe Komunën e Gjakovës.

“Kësaj radhe na tronditi lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit, publicistit dhe zyrtarit komunal Kastriot Shehdadi. Me Kastriotin bashkëpunuam për gjatë 4 viteve të qeverisjes në Gjakovë. Për Kastriotin nuk kishte rëndësi partia politike, ose kush e ka pushtetin. Ai gjithmonë përpiqej të ishte në krye të detyrës, ku me qetësinë që e karakterizonte dhe me aftësitë profesionale përmbushte përgjegjësinë që kishte”, thuhet në njoftimin e Alternativës.

“Kastrioti adhuronte fjalën e lirë, e mbi të gjitha fjalën e shkruar shqip. Kastrioti pasuronte paraqitjet publike dhe zyrtare, me fjalime, lajme dhe njohuri të shumta që kishte. Humbja e Kastriotit është humbje për gazetarinë, zyrën për Informim të Komunës së Gjakovës dhe mbarë Gjakovën. Ngushëllime të sinqerta familjes Shehdadi, miqve dhe bashkëpunëtorëve”, përfundon njoftimi i tyre.

Shkaqet e vdekjes se Kastriot Shehdadit nuk janë bërë të ditura, ndërsa për të ndjerin kanë shkruar dedikime edhe shumë persona që e njohën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme