Google ADS

Ende pa vendim për fillimin e vitit shkollor në Maqedoninë e Veriut

17:11 | 25 Gusht 2020
Arbresh.info

Fillimi i vitit shkollor do të caktohet varësisht gjendjes epidemiologjike dhe ndryshimeve në ligjin për arsim fillor dhe të mesëm. Kështu tha ministri në largim i Arsimit, Arbër Ademi duke shtuar se në dy ditët ardhshme Qeveria duhet të miratoj planin e Ministrisë së Arsimit.

“Për më 1 shtator, që të filloj viti shkollor varet nga gjendja epidemiologjike dhe nga ndryshimet ligjore. Tashmë kemi parlament funksional, Qeveria nesër ose më së voni pasnesër do të duhet të të miratoj planin e Ministrisë së Arsimit dhe t’i propozojë Kuvendit ndryshimet adekuate ligjore me çka sigurohet baza e nevojshme juridike për organizim të procesit arsimor kështu siç po planifikojmë- deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Pavarësisht se tashmë Qeveria ka bërë të ditur modelin e realizimit të procesit mësimor, prindërit vazhdojnë të kërkojnë që fëmijët e tyre të kthehen në shkollë me prani fizike.

“Të gjithë bashkë janë, ndërsa kur vjen puna e shkollës me i nda, nuk e di, nuk jemi kompetent, nuk jemi ata që vendosim. Ka ndryshime, të gjithë fëmijët janë në rrugë, nuk kanë obligim, nuk kanë çka të bëjnë, patjetër rrugëve me mbet”.

“Është e rëndësishme prezenca fizik. Duhet me prani fizike por edhe online. Dy ditë me prani fizike, me orë të shkurtuara”.

Këtë e kërkojnë edhe nxënësit. Disa prej tyre I takuam në park ndërsa shumë të tjerë duke marrë dëftesat për vitin e mbaruar.

“Tash do të jem në klasën e gjashtë. Dua ti njoftoj arsimtarët, shumë e dua shkollën. Për mua, unë dëshiroj të shkoj në shkollë. Më shumë më mungojnë shoqet edhe shokët, edhe lënda e matematikës, shumë e dua”.

“Dua të vij në shkollë sepse nuk dua ti mësoj detyrat nga kompjuteri. Dëshiroj të vij, të mësoj, të shkruaj në tabelë”.

Gjashtë ditë nga fillimi zyrtar i vitit shkollor në shkolla akoma nuk ka arritur asnjë vendim i ministrisë së Arsimit për mënyrën e realizimit të procesit mësimor. Pavarësisht kësaj, shkolla të caktuara tashmë po bëjnë përgatitjet e fundit për pritje të nxënësve./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme