Google ADS

Raste kur rëntgeni “zbulon” të infektuar me COVID-19, ja si e sqaron pulmologu

08:35 | 23 Gusht 2020
L G

Testet RT-PCR (me strisho) dhe testet serologjike (përmes gjakut) jo gjithmonë po tregojnë nëse jeni pozitiv me Covid-19.

Një grua nga Prishtina me inicialet F.H (emër i njohur për redaksinë tonë) ka treguar se testi i saj i bërë në Klinikën Infektive për Sars-Cov2 kishte rezultuar negativ, por që sipas analizave dhe vizitës tek specialisti dukej se ishte ndryshe.

“Pasi kisha bërë analizat e gjakut dhe rëntgenin e mushkërive me referim nga mjeku familjar, më rekomanduan për në Klinikën Infektive, ku më morën mostrën të testimit për Covid-19. Katër ditë më vonë më erdhi sms se kisha rezultuar negative. Por edhe pas kësaj nuk ndihesha edhe aq mirë dhe vendosa të përsëris sërish analizat dhe rëntgenin, ku rezultonte që kisha një ndryshim në mushkëri dhe mjeku më referoi tek specialisti i pulmologjisë”, rrëfen ajo për arbresh.info.

Tutje F.H tregon se nuk mund të besonte kur pulmologu i tha se në bazë të rëntgenit ajo kishte ndryshime në mushkëri që përkonin me sëmundjen Covid-19, por që tani ishte në fazën e shërimit.

Një tjetër paciente që ka folur për arbresh.info në kushte anonimiteti ka pasur një rast të ngjashëm, por këtë herë në testet serologjike (përmes gjakut).

Ajo ka thënë për arbresh.info se në testin e parë serologjik ka rezultuar negativ në Covid-19 dhe se nuk ka pasur as në të kaluarën, por pas një kontrolli tek pulmologu në bazë të CT-së dhe analizave tjera të gjakut u zbulua se mund të jetë me Covid-19.

Me këtë rast kjo paciente ka bërë testin RT-PCR për Covid-19 dhe në këtë të fundit ka rezultuar pozitiv.

Pulmologu, Bahri Tigani, në një prononcim për arbresh.info ka thënë se ka raste kur pacientët në testin e fundit RT-PCR  janë konfirmuar negativ, por që pas analizave të detajuara rezultojnë pozitiv.

Ai thotë se RT-PCR  ka një konfirmim diku rreth 70%,  ndërsa 30% e pacientëve edhe pse janë me Covid-19 mund të kenë rezultat negativ të testit.

“Ka raste të tilla po,  jo shumë shpesh, ne i dimë që testi i RT-PCR(me strisho) ka një konfirmim diku maksimal atë ndjeshmërinë 70% , kurse 30% ka pacientë që vijnë me rezultat negativ të testit të realizuar në ditët e fundit dhe pasi që bëjmë ekzaminimet shtesë, CT të rastit, analizat e gjakut sugjeruese me Covid-19 atëherë na dalin shpesh pozitivë. Kështu jo ndonjë test qind për qind e  konfirmon diagnozën përfshirë RT-PCR”, ka thënë Tigani për arbresh.info.

Ndërsa sa i përket testeve serologjike ai thotë se këto teste janë shumë më pak të besueshme dhe se e vetmja gjë që e konfirmon diagnozën për Covid-19 është metoda RT-PCR.

“Serologjike janë më pak të besueshme, një kohë realisht presin zhvillimin e antitrupave të pacientëve me Covid-19 edhe në një përqindje të konsiderueshme mund të mos zhvillohen antitrupat te pacienti me Covid-19, pasi që mbrojtja imunologjike të pacienti me Covid-19, studimet kanë dëshmuar që shkon përmes të limfociteve, që nuk krijojnë antitrupa kështu që edhe mosprezenca e antitrupave në teste serologjike nuk përjashton që pacienti nuk ka pas Covid-19”, është shprehur ai.

Sa përket personave që janë  të prekur në mushkëri për shkak Covid-19, Tigani thotë se shërimi është i ngadalshëm dhe se krijon ndryshime fibrotike te pacientët.

“Shërimi është i ngadalshëm dhe krijon ndryshime fibrotike që edhe studimet e fundit në botë nuk e kanë të qartë se si shkon rrjedha e ndryshimeve radiologjike në mushkëri pasi që është sëmundje e re, patologji e re, këto pesë, gjashtë muajt e fundit megjithatë ne që kemi pas pacientë që kanë pas Covid-19 para një muaji e gjysmë me shenja klinike kur kanë ardh, kanë realizu CT pas një muaj e gjysmë ose dy kanë pas ndryshime në CT të mushkërive, kështu që ndryshimet janë deri diku njëfarë forme kronike me ndryshime fibrotike”, ka thënë Tigani.

Ai ka treguar se nuk dihet sigurt nëse ka pasoja në të ardhmen nga prekja e mushkërive me Covid-19 por që kanë disa pasoja.

Ai thotë se pas kalimit të shenjave klinike ndryshimet në CT ekzistojnë edhe një kohë më të gjatë.

“Nuk është e sigurt me gjasë por kanë disa pasoja pasi këto ndryshimet fibrotike mund të jenë edhe kronike, por nuk janë ndryshime mushkërore që në CT pas kalimit të shenjave klinike ndryshimet në CT ekzistojnë edhe një kohë më të gjatë me muaj por saktësisht nuk dihet pasi që shumë pacientë i rekomandojnë që pas dy ose tre muajve të realizojnë CT kontrolluese për me pas se çfarë ecurie kanë ndryshimet radiologjike në mushkëri”, ka treguar ai.

Pulmologu tregon se personat të cilët janë prekur në mushkëri nga Covid-19 zakonisht janë personat me sëmundje shoqëruese,  në radhë të parë diabeti, problemet e zemrës, shtypja e lartë ndërsa kryesisht nga klinika numri më i madh janë i moshës mesatare dhe moshës 55-60 vjet edhe më të moshuar./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme