Haradinaj-Stublla flet në Berlin me këshilltarin e Merkelit për vizat dhe për dialogun

19:27 | 22 Gusht 2020
Arbresh.info

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, është pritur sot në një takim zyrtar nga Matthias Lüttenberg, shef i Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e kancelares gjermane, Angela Merkel, si dhe Christiane Hullmann, shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Lajmin e ka bërë të ditur MPJD, nëpërmjet një komunikate për media.

Në takimin e mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Berlin, ministrja Haradinaj Stublla ka marrë sinjale pozitive për liberalizimin e vizave për Kosovën, në kohën kur Gjermania kryeson presidencën e Këshillit Evropian, thuhet në komunikatë.

“Lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi”, citohet të ketë thënë shefja e diplomacisë kosovare.

Ministrja Haradinaj Stublla ka theksuar se në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun Kosovë- Serbi, ku ka potencuar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se Kosova beson në rolin vendimtar të Gjermanisë, dhe se rrëshqitja e dialogut në tema teknike është kundërproduktive, bën të ditur komunikata.

“Diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan”, citohet të ketë thënë Haradinaj-Stublla.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme