Google ADS

E konfirmon Vuçiq: Trump mund të jetë i pranishëm në takimin e Uashingtonit

12:38 | 22 Gusht 2020
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar që bisedimet e delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës në Uashington, ka shumë mundësi që do të mbahen më 3 dhe 4 shtator.

“Për shkak të mundësisë, por mos më mbani për fjale, por thonë që ekziston mundësia që të paraqitet presidenti i SHBA-së Donald Trump, në rast se ne merremi vesh për diçka”, theksoi Vuçiq të shtunën, më 22 gusht, gjatë një interviste në Televizionin serb “Prva”.

Në konstatimin e gazetarit që presidenti amerikan, në rastin kur bëhet fjalë për vendet e vogla, paraqitet vetëm kur është diçka tejet e rëndësishme, Vuçiq u përgjigj, duke thënë “kjo më shqetëson”.

Të premten, Vuçiq kishte folur për mundësinë e shtyrjes së takimit në Uashington, që është paralajmëruar për 2 shtator.

Mirëpo, nga Qeveria e Kosovës, më 21 gusht, deklaruan për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë informacione nëse takimi do të shtyhet.

Xhavit Beqiri, keshilltar për media i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se “ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për mundësinë e shtyrjes së takimit”.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese iu përgjigjën pozitivisht pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Administrata amerikane ka konfirmuar për REL se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas pothuajse 2 vjetësh ndërprerje, rinisi në Bruksel më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar në nëntor të vitit 2018, për shkak të një takse që Qeveria e Kosovës vendosi ndaj importeve nga Serbia. Kjo taksë më pas u zëvendësua me reciprocitet, por qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin, me qëllim, që t’i jepet shans rinisjes së dialogut.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme