Gara për të zbuluar një vaksinë kundër Covid-19

11:26 | 22 Gusht 2020
Arbresh.info

Derisa shumë shtete janë duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë për të luftuar pandeminë me koronavirus, më shumë se 170 vaksina janë duke u zhvilluar nga ekipet hulumtuese në universitete dhe laboratore nëpër botë. Disa nga to tashmë janë duke u testuar në njerëz.

Vaksinat zakonisht kërkojnë hulumtim dhe testim të gjerë ndër vite para se të hyjnë në përdorim. Por, presioni ekonomik dhe ai politik kanë shtyrë shkencëtarët që të shpejtojnë procesin e hulumtimit për zhvillimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Tashmë është njoftuar për disa zhvillime të suksesshme rreth vaksinës eventuale, por do të duhet ende kohë që bota të ketë një vaksinë efektive dhe të sigurt.

Pse janë të rëndësishme vaksinat?
Trupi i njeriut zakonisht krijon një imunitet të qëndrueshëm pas ndonjë sëmundjeje. Por, disa sëmundje mund të çojnë në komplikime serioze, deri te vdekja. Vaksinat kanë për qëllim të ekspozojnë trupin ndaj një antigjeni që ngacmon sistemin imunitar, por nuk e shkakton sëmundjen. Ky reagim bllokon apo vret virusin nëse një person infektohet.

Cikli i zhvillimit të vaksinës
Para se të futen në përdorim, vaksinat kalojnë në disa faza të zhvillimit:

Faza kërkimore
Faza para-klinike
Zhvillimi klinik
– Në fazën e parë, testohen grupe të vogla të njerëzve.
– Në fazën e dytë, studimi klinik zgjerohet dhe vaksina testohet në njerëz me karakteristika të caktuara.
– Në fazën e tretë, vaksina testohet në mijëra njerëz për efikasitet dhe siguri.
Rishikimi dhe aprovimi
Prodhimi
Kontrollimi i kualitetit
Deri më 11 gusht, 2020, më shumë se 170 vaksina potenciale janë regjistruar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Zbulimi rus
Rusia së fundi ka njoftuar se është duke planifikuar prodhimin në masë dhe vaksinimin në masë të popullatës me vaksinën e quajtur Sputnik V, vaksinë kjo që sipas disa shkencëtarëve është zhvilluar në një proces që ka kapërcyer masat e rëndësishme të sigurisë që bëjnë pjesë në fazën e tretë të ciklit zhvillimor të vaksinës. Zhvilluesit e kësaj vaksine kanë mundur të jenë nën presion të madh politik për të qenë të parët që regjistrojnë një vaksinë.

Një nga shqetësimet kryesore që komuniteti ndërkombëtar i shkencëtarëve ka në raport me Sputnik V, është efekti i quajtur Zgjerimi i Antitrupave të Varur, që do të thotë kur versione të tjera të virusit bashkëngjiten me antitrupat e prodhuara nga vaksina. Kjo mund t’i bëjë njerëzit të ndihen më të sëmurë kur infektohen për të dytën herë. Ky efekt vërehet gjatë fazës së tretë të zhvillimit të vaksinës.

Si zhvillohet imuniteti?
Kur trupi vëren substanca të huaja si viruse apo bakterie, sistemi imunitar punon për të njohur patogjenët që pushtojnë trupin dhe t’i largojë ato. Limfocitet apo qelizat B krijojnë antitrupa që mbyllen në antigjene specifike (një antigjen është një molekulë apo strukturë molekulare që gjendet jashtë një patogjeni) dhe qelizat T shkatërrojnë qelizat e infektuara, duke ua bërë të pamundur prodhimin e virusit.

Antitrupat mund të qëndrojnë në trup për disa muaj, në disa raste edhe për vite, në rast se trupi ka nevojë të luftojë patogjenin e njëjtë sërish.

Sistemi imunitar i trupit të njeriut mëson të njohë patogjenët pushtues, siç është COVID-19./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme