Google ADS

Laboratorët privatë “vlojnë” prej qytetarëve për testim për COVID-19, kryesisht për arsye udhëtimi

08:23 | 22 Gusht 2020
Arbresh.info

Interesimi i qytetarëve për testim për Covid-19 është i lartë.

Se kërkesat janë të mëdha e thonë edhe laboratorët private, të cilat janë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për realizimin e testit për Covid-19.

Këta laboratorë për arbresh.info thonë se punojnë vetëm me teste serologjike të cilat realizohen përmes gjakut.

Lavdim Zhdrella nga laboratori “Vita Lab” ka thënë për arbresh.info se ka pas interesim për testim për Covid-19 ndërsa ka shtuar se lloji i testit që bëjnë është serologik.

“Ne kemi testet serologjike përmes gjakut, IgG dhe IgM-ja, më shumë është kërkuar IgM (tregon për këtë fazën akute) për shkak të pushimeve në Mal të Zi, ndërsa IgG tregon a ki mbrojte, a e ke kalu me herët, a ki antitrupa tash”, ka thënë Zhdrella në një përgjigje për arbresh.info.

Ai ka thënë se çmimet e testeve serologjike kushtojnë 20 euro ndërsa ka dhënë një shifër të përafërt se sa teste kanë realizuar gjatë ditës.

Ai po ashtu ka thënë se të dhënat e testeve i raportojnë në baza ditore në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“S’kam ndonjë të dhënë të saktë por janë diku në ditë, 30-40 ose 50 deri në 60 teste, të dhënat e testeve i raportojmë në IKSHPK çdo ditë”, ka përfunduar ai.

Kurse doktori Fatos Muhaxhiri nga laboratori “Fati im”, ka thënë se që nga java e kaluar kur edhe janë licencuar kanë realizuar deri me tani rreth 100 teste serologjike për Covid-19, derisa ka shtuar se janë duke pritur furnizim të ri dhe me një numër më të madh të testeve.

“Jemi në pritje të porosisë së radhës ku është porosit numër më i madh i testeve”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka shtuar se lloji i testit që po kërkohet më shumë janë antitrupat e ndarë veçmas, pra natyra IgG dhe IgM, ndërsa ka shtuar se vetëm me teste serologjike punojnë, me dy sisteme që mundësojnë testimin serologjik.

“Një test për Covid-19 kushton 20 euro nëse punohet një parametër, kur punohet në dy parametra për me ja lehtësuar pacientëve është 35 euro si paketë”, ka thënë Muhaxhiri.

Tutje ai ka treguar edhe cilat janë arsyet, të cilat po i qojnë qytetarët që të bëjnë testin serologjik.

“Varet, ka edhe asi që dëshirojnë të dinë a janë aktiv për çështje të udhëtimit, do të thotë kur po kanë me udhëtu, por edhe kësi tjerë për me ditë a e kanë kalu, e kanë pas dikë në familje të afërm me Covid-19. Dëshiron me ditë a ka pas ndonjë imunizim pasiv dëshiron të dijë a është imunizu pa simptomatologji thjeshtë e ka kalu sëmundjen pa simptomatologji”, ka treguar ai.

Muhaxhiri ka thënë se raportimi bëhet në IKSHPK dhe Agjensionin Kundër Konkurrencës./R.Rexhepi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme