Google ADS

Edhe një foshnje tremuajshe e infektuar me Covid-19

21:23 | 20 Gusht 2020
A. B.

Dukshëm është ulur numri i të sëmurëve aktiv me koronavirus në Komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Nga gjithsej 224 raste në të dy valat e pandemisë, aktualisht aktive janë 40 raste. Kështu për gazetën KOHA thotë epidemiologu dibran, i cili zbuloi dhe rastet e para të të sëmurëve nga Kovid-19 në vendin tonë, Mentor Mela, ndërsa shton se mes 41 pacientëve, me Kovid-19 është edhe një foshnje tremuajshe. Sipas Melës, i cili është udhëheqës i Njësisë për Shëndet Publik në Dibër, gjendja shëndetësore e të sëmurëve megjithatë është stabile.

Pandeminë në rajonin më perëndimor të rajonit tonë e karakterizojnë rastet të shtuara në valën e dytë të sëmundjes. Në valën e parë, në Dibër dhe Qendër Zhupë pozitiv me Kovid- 19 ishin 51 raste, por në valën e dytë ky numër u trefishua, dhe numri në këtë fazë është 173. Në fazën e parë, sa i takon gjinive, numri më i madh i të infektuarve nga koronavirusi ishin femrat, kurse në fazën e dytë dominojnë meshkujt.

Në valën e parë, sëmundja e Kovid-19 ishte prezente vetëm në qytetin e Dibrës, ndërsa tani situata ka ndryshuar. Ka shumë të sëmur në fshatrat e të dy komunave, thotë Mela, dhe shton se aktualisht ka të sëmurë në fshatin Mogorçë, Kosovrast i Poshtëm dhe Xhepishtë. Në fshatrat e Zhupës pozitiv kanë dalë banorë nga fshatrat Broshticë, Ballancë, Papranik i Madh , Papranik i Vogël, Novak e tjerë.

Edhe pse deri tani numri i të evidentuarve të prekur nga Kovid-19 është mbi 200 , asnjë nga të shëruarit nuk ka dhuruar plazmë. Epidemiologu dibran Mentor Mela si shkak kryesore të përhapjes masive të virusit Kovid-19 i apostrofon mos respektimin e masave nga Kovid-19 edhe atë mos mbajtjen e maskave, distancën fizike e tjerë. Në valën e dytë ka shumë të rinj të cilët u prekën nga ky virus meqë nuk respektohen as protokollet për punën e objekteve shërbyese siç janë kafeteritë, restorantet e tjerë. (koha.mk)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme