BE rezervon 225 milionë doza të vaksinës potenciale kundër koronavirusit

15:37 | 20 Gusht 2020
Arbresh.info

Komisioni Evropian njoftoi sot se kishte rezervuar 225 milionë doza të vaksinës potenciale kundër COVID-19 nga gjermani “CureVac”, marrëveshja e katërt e këtij lloji arritur nga BE me laboratorët.

“Diskutimet me “CureVac” do të duhet të përfundojnë me një kontratë për blerjen paraprake”, theksoi ekzekutivi evropian në një komunikatë.

“Kontrata e parashikuar do të mundësojë për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të blejnë vaksinës dhe gjithashtu ta dhurojnë për vendet me të ardhura të ulëta apo mesatare apo ta transferojnë atë drejt vendeve evropiane”, nënvizoi i njëjti burim.

Blerja fillestare do të jetë 225 milionë doza për llogari të shteteve anëtare të BE-së, pasi të tregohet efikasiteti dhe siguria e një vaksine.

Kjo është marrëveshja e katërt e arritur në kuadër të blerjes së vaksinave nga Komisioni Evropian.

Brukseli ka rezervuar tashmë 300 milionë vaksina, në përgatitje nga francezi “Sanofi” dhe 400 milionë nga amerikani “Johnson & Johnson”.

Komisioni ka nënshkruar gjithashtu më 14 gusht një kontratë blerjeje paraprake me grupin farmaceutik “AstraZeneca” për 300 milionë doza, me një mundësi për 100 milionë doza shtesë.

Komisioni Evropian po mban premtimin e tij për t’u siguruar evropianëve dhe botës qasje të shpejtë në një vaksinë të sigurt që na mbron nga koronavirusi. Çdo cikël negociatash që ne kemi arritur me industrinë farmaceutike na sjell më afër fitores kundër këtij virusi”, përshëndeti presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen./atsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme