Themelimi i shtetit hungarez, Ruçi mesazh urimi homologut Kover

09:39 | 20 Gusht 2020
Arbresh.info

Kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër urimi homologut hungarez, Laszlo Kover me rastin e ditës së themelimit të shtetit të Hungarisë.

Kryeparlamentari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe falenderoi Hungarinë për mbështetjen që i ka dhënë dhe jep Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“20 gushti i vitit 1083, Dita e themelimit të shtetit dhe Dita e Mbretit Stefan i Parë, themeluesi Mbretërisë së Hungarisë, është një ngjarje e rëndësishme në historinë e kombit hungarez.

Populli shqiptar ushqen një respekt të thellë dhe ndjenja të forta miqësie me popullin hungarez. Bashkëpunimi dypalësh midis Shqipërisë dhe Hungarisë është shumë i mirë dhe për këtë kanë shërbyer dhe vizitat e nivelit të lartë gjatë viteve të fundit.

Shqipëria i është mirënjohëse Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e madh në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Vendimi i Këshillit Europian në mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Qeverisë së Hungarisë, Asamblesë Kombëtare dhe Tuajës personalisht”, shkruhet mes të tjerash në letrën e Gramoz Ruçi./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme