Një vështrim në hartë tregon situatën e veçantë të Bjellorusisë. Ky vend kufizohet në perëndim me shtetet anëtare të NATO-s Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Në jug me Ukrainën dhe në lindje me Rusinë.
Por Bjellorusia nuk është një “shtet tampon”, thotë Gustav Gressel nga “Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë” (ECFR), një qendër kërkimore në Bruksel. “Bjellorusia nuk është neutrale si Zvicra, Suedia apo Finlanda.” Ky vend i Evropës Lindore i përket aleancës ushtarake të mbizotëruar nga Rusia “Organizata e Traktatit për Sigurinë Kolektive”(CSTO).
Anëtare të organizatës janë veç Bjellorusisë edhe Rusia dhe Armenia, tre republika të Azisë Qendrore. Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko iu referua kësaj aleance fundjavën e kaluar. Ai pretendoi se NATO-ja po përqendronte trupat në kufirin perëndimor të Bjellorusisë. Pas një telefonate me Lukashenkon, Presidenti Putin deklaroi se Rusia do të ndihmonte aleatin e Bjellorusisë “brenda kuadrit të lidhjeve kontraktuese”.
Akuzat kundër NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg menjëherë i mohoi lëvizjet ushtarake të pretenduara nga Lukashenko. Aleanca nuk ka vendosur ndonjë trupë shtesë në Poloni ose Lituani, por është “rreptësisht mbrojtëse” dhe “e gatshme të parandalojë çdo agresion kundër aleatëve të NATO-s”, tha ai. Presidenti Lukashenko pas kësaj e urdhëroi ushtrinë bjelloruse të fillojë manovrat në kufirin perëndimor të Bjellorusisë.
Gustav Gressel nga qendra kërkimore ECFR mendon se kreu i shtetit po përpiqet të krijojë një kërcënim të jashtëm për të inkurajuar Rusinë të ndërhyjë ushtarakisht në favor të tij. “Por Putini nuk ka ndërmend ta bëjë këtë. Për sa kohë që Bjellorusia nuk i kalon vijat e kuqe, d.m.th., ajo u përmbahet traktateve për bashkimin shtetëror, bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak, Rusia nuk do të ndërhyjë”, tha Gressel për DW.
Rusia nuk e mbështet me çdo kusht Lukashenkon
Sipas ekspertit, Rusia nuk mbështet autokratin që po lëkundet Lukashenko, por faktin që Bjellorusia është një vend prorus, dhe që të mbetet e tillë. Një ndryshim i qeverisë nuk do të ishte i pakëndshëm për Kremlinin për sa kohë që nuk përfshin një ndryshim të drejtimit drejt Perëndimit, BE apo madje edhe NATO-s.
Shenja për këtë nuk ka. Opozita nuk po kërkon që Bjellorusia të futet në BE. Politikania e opozitës Maria Kolesnikowa i tha gazetës “Welt am Sonntag” se sanksionet që BE dëshiron të vendosë mbi disa prej atyre që janë përgjegjës janë më tepër kundërproduktive. Ato më tepër do ta rëndonin klimën e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës. “Sanksionet po vijnë shumë shpejt,” tha Kolesnikova.
Diplomatët e BE në Bruksel kanë paralajmëruar prej ditësh që Rusisë të mos i jepet asnjë pretekst për të pretenduar se BE po ndërhyn nga jashtë. Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha diplomatikisht se njerëzit e Bjellorusisë kanë të drejtë të përcaktojnë udhëheqjen e tyre, të lirë nga dhuna.
Ai nuk bën një kërkesë të drejtpërdrejtë që Presidenti Lukashenko të japë dorëheqjen. Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin thuhet se janë pajtuar në një telefonatë të martën se nuk duhet të ketë “asnjë ndërhyrje nga jashtë”.
Asnjë krahasim me Ukrainën
Ushtria ruse mund ta pushtojë Bjellorusinë brenda disa ditësh, megjithëse në vend nuk ka baza të mëdha ushtarake ruse. Por Kremlini nuk do të ishte i interesuar për një ndërhyrje të tillë, dyshon eksperti i Evropës Lindore Gressel nga “Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë”.
Bjellorusia në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me Ukrainën. Atje, pas një kthesë properëndimore në vitin 2014, Vladimir Putini aneksoi Krimenë dhe filloi një luftë në Ukrainën lindore. Në Bjellorusi popullsia është më proruse. Të dy shtetet janë të lidhura në një bashkim me një marrëveshje. Atëherë pse të marshosh atje?
Më problematik është kursi dredharak i Presidentit në vështirësi, Aleksandër Lukashenko. Disa ditë para zgjedhjeve, Lukashenko arrestoi 32 rusë, të cilët i akuzoi si mercenarë rusë, me detyrën e destabilizimit të Bjellorusisë. Lukashenko nuk e ndoqi kurrë dëshirën ruse për të ndërtuar një bazë më të madhe ushtarake ruse në Bjellorusi. Ai ka qenë gjithnjë i etur për pavarësi dhe madje ka krijuar lidhje delikate me NATO-n.
Bjellorusia merr pjesë në disa programe të NATO-s, madje mendoi për manovra të përbashkëta. BE e shpërbleu në vitin 2016 këtë kurs midis kampeve me heqjen e sanksioneve kundër grupit të udhëheqjes në Minsk.
Ukraina nuk është model i përshtatshëm për situatën në Bjellorusi. Po Armenia? Atje, në “Revolucionin e kadiftë” në prill 2008, kreu prorus i qeverisë u zëvendësua nga një politikan me sa duket më i orientuar nga perëndimi. Kremlini priti dhe vëzhgoi.
Sot, Armenia është larg një daljeje nga bashkimi ekonomik ose traktati ushtarak me Rusinë. Kryeministri i Armenisë dhe ish-drejtuesi i lëvizjes protestuese, Nikol Pashryan, tani konsiderohet më tepër një mik i Putinit. /DW
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën