Ndihmë shtesë për familjet në asistencë sociale në Kosovë

11:46 | 19 Gusht 2020
M. A.

2 mijë familje, përfituese të asistencës sociale në Kosovë, do të ndihmohen financiarisht në blerjen e gjerave ushqimore dhe higjienike për tre muaj me radhë.

Projekti që është donacion i UNDP, mbështetur nga Qeveria e Luksemburgut do të drejtohet më shumë të familjet në gjendje më të rënduar. Kuponët që do t’u shpërndahen familjeve në nevojë përmbajnë vlera të ndryshme, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.

Në Kosovë janë mbi 26 mijë familje në asistencë sociale, gjendja e të cilave është rënduar edhe më shumë si pasojë e pandemisë Covid19. Por për tre muaj me radhë ndihmë shtesë do të marrin vetëm 2 mijë prej tyre.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur disa kritere ku përfitues të ndihmës së UNDP-së do të jenë familjet që janë me vetëm një prind, nënat vetushqyese, ato që kanë anëtarë me aftësi të kufizuar, probleme me banim dhe familjet që gjenden në zona të thella rurale.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka pranuar sot kuponët dhe i ka dorëzuar të komunat në të cilat gjenden familjet që do të përfitojnë.

“Bëhën fjalë për 2 mijë kuponë që ne do t’i pranojmë sot dhe bëhet fjalë për tre vlera varësisht numrit të familjeve, familjet nga një deri katër anëtarë do të përfitojnë 1 kupon në vlerë prej 60 euro për tre muaj rresht, që do të thotë në vlerë 60 euro do të mund të blejnë gjëra ushqimore dhe higjienike, familjet nga pesë deri ën tetë anëtarë do të kenë kuptonin në vlerë prej 70 euro për muaj dhe grupi i tretë është familjet mbi tetë anëtarë që do të përfitojnë kupon në vlerë prej 80 euro në muaj”, tha Reçica.

Janë përcaktuar disa kritere për përfituesit e këtyre kuponëve që sipas ministrit mjetet do t’i destinojnë për ato familje që janë në gjendje më të rënduar financiarisht.

“Janë krijuar disa mundësi që të mund të përfitojnë vërtetë familjet të cilat janë buzë varfërisë së skajshme. Do të jenë përfitues familjet të cilat janë vetëm njëri prind, në veçanti nënat vetushqyese që mbajnë familje, do të jenë ato familje të cilat kanë persona me aftësi të kufizuar në familjet e tyre, do të kenë përparësi ato familje të cilat kanë problemin e banimit, kanë fëmijë në shkollë, do të jenë ato familje që janë në pjesët rurale të vendeve ku mundësia për punësim është më rëndë, natyrisht që në këtë grup do të bëjnë pjesë edhe familjet të cilat janë në kushte të rënda ekonomike e sociale nga komunitetet”, tha ai.

Ndërsa Shkipe Deda-Gjurgjiali tha që shpresojnë se projekti është i duhuri dhe i njëjti do të mund të ndihmojë familjet në nevojë gjatë periudhës së pandemisë ku gjendja e tyre është më e rënduar.

“Po fillojmë me 2 mijë familje mirëpo prej tetorit shpresojmë që do të kemi një projekt më të madh dhe të mbështetshim një numër më të madh të familjeve”, tha ajo.

Kjo ndihmë vjen nga partneriteti i UNDP me Qeverinë e Luksemburgut për të ndihmuar familjet e rrezikuara në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme