Një artikull i kohëve të fundit në revistën “Science” ngjalli shumë interes, duke dhënë një shpjegim të mundshëm se përse Covid-19 mund të jetë vdekjeprurës për disa njerëz, në një kohë që kalon praktikisht pa u vënë re tek shumë të tjerë.
Shkencëtarët në Institutin e Imunologjisë La Jola në Kaliforni, treguan se si infeksioni me koronaviruset përgjegjëse për të ftohurën e zakonshme, mund të gjenerojë një përgjigje imune që u ngjan pjesëve kryesore të përgjigjes imune të gjeneruar nga SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19.
Dhe kjo krijon mundësinë që infeksioni i mëparshëm me një nga koronaviruset më të butë, mund ta bëjë më pak të rëndë infeksionin nga Covid-19. Por sa është e mundur në fakt diçka e tillë? Dhe si lidhet kjo me ato që tashmë dimë në lidhje me koronaviruset?
Disa javë më parë, një artikull tjetër shkaktoi jo pak debate, sërish mbi imunitetin që lë pas SARS-CoV-2. Ai studim tregoi se përgjigjja e antitrupave ndaj SARS-CoV-2, mund të bjerë me kalimin e kohës. Gjetjet e tij ngritën shqetësimin se SARS-CoV-2 mund të infektojë shumë herë një person, dhe se edhe një vaksine e mundshme mund të mos krijojë një mbrojtje të qëndrueshme.
Por artikulli u përqendrua vetëm në një krah të përgjigjes imune, tek qelizat B, të cilat prodhojnë antitrupa, dhe ndihmojnë në pastrimin e trupit nga një infeksion. Por në reagimin imunitar kundër viruseve, thelbësore janë edhe qelizat T.
Ato luajnë një larmi rolesh, midis të tjerash ato i ndihmojnë qelizat B të maturohen në “makineritë” e luftimit të sëmundjeve. Artikulli studimor i Hose Mateus dhe kolegëve të tij në Institutin e Imunologjisë La Jola, është i rëndësishëm pasi tregon se njerëzit i bartin qelizat T nga koronaviruset më të buta për aq kohë sa të bashkëveprojnë potencialisht me një sfidë të re nga SARS-CoV-2, dhe se qelizat T mund ta njohin SARS-CoV-2, dhe të ndihmojnë në pastrimin e infeksionit.
Shpresë për një imunitet të tërthortë
Për epidemiologët, të dhënat e një imunitetit të dobët dhe të një imuniteti të tërthortë, ishin befasuese. Një studim i viteve 1990, tregoi se ushtarët e infektuar me prej koronaviruset më të butë, nuk e ruanin imunitetin për më shumë se sa një vit.
Gjithashtu, cikli i forcim-dobësimit që i nënshtrohen nga vit në vit koronaviruset më të butë, mund të shpjegohet me një përzierje të imunitetit në rënie dhe imunitetit të tërthortë. Koronaviruset që gjenerojnë simptoma më të buta, mund të gjenerojnë antitrupa të ngjashëm me ato që gjenerohen nga koronaviruset, që shkaktojnë sëmundje e SARS-it dhe MERS-it.
Këto antitrupa janë aq të ngjashme me njëra-tjetrën, sa thuajse mashtruan mjekët në një spital në British Columbia në SHBA, të cilët menduan se kishin të bënin me një shpërthim epidemik të SARS-it, teksa në atë kohe ishte shpallur pandemia globale e asaj sëmundje.
Në fakt, epidemia lokale ishte shkaktuar nga OC43, një nga koronaviruset që dihet se shkakton të ftohurën e zakonshme, zakonisht gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit. Gjithsesi, infeksionet që gjenerojnë antitrupa janë strukturalisht të ngjashëm, por ata jo domosdoshmërisht ofrojnë mbrojtje të tërthortë.
Nuk jemi ende të sigurt
Fakte për një mbrojtje të tërthortë midis të koronavirusëve më të afërt ndaj koronavirusit të ri, janë të pakta. Për momentin, është e vështirë të thuhet me siguri të plotë nëse koronaviruset më të butë mund të na mbrojnë nga SARS-CoV-2, pjesërisht pasi këto kohë ne kemi pasur shumë pak vëmendje ndaj tyre.
Në mënyrë ideale, ne duhej të ishim në gjendje të analizonim të dhënat historike, për të identifikuar se cilat komunitete kanë përjetuar shpërthime të mëdha epidemike të çdo lloj shtami të koronaviruseve më të butë gjatë viteve të kaluara, dhe pastaj të shihnim nëse ekziston një lidhje me rastet më të rënda me Covid-19.
Ndërkohë, studimet e guximshme, në të cilat një person infektohet qëllimisht me shtamin e një koronavirusi më të butë, dhe më pas ekspozohet po qëllimisht ndaj SARS-CoV-2, mund ta adresojnë këtë çështje, por në thelb ato janë të rrezikshme, dhe me probleme të mëdha etike.
Tani për tani, gjithçka mund të themi është se mundësia që koronaviruset që shkaktojnë të ftohurën e zakonshme tek shumë njerëz, mund të na mbrojnë kundër SARS-CoV-2, mbetet vetëm e tillë, një mundësi. Në fakt, vetë Mateus dhe kolegët e përshkruajnë këtë teori si “shumë spekulative”. / “The Conversation” – Bota.al
Struktura fetare e Kosovës: 93.49 % të besimit islam, 2,31 %...
Rriten rastet e braktisjes së shkollës në Kosovë
Profesori Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtete...
Hasani: Mbi 5 mijë tekste mësimore në diasporë, rreth 20 mij...
Deliu- Kodra thotë se ushtarët e FSK-së kanë mbetur pa rrymë
Rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë...