Kërkesa e veteranëve për Gjykatën Speciale nuk gjen përkrahje të plotë në Kuvend.
Kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale (Dhomat e Specializuara), nuk është e sigurt se do të merret parasysh në Kuvendin e Kosovës.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga grupet parlamentare që përmes amandamentimit të këtij ligji, Gjykata Speciale të hetojë të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë të ndarë sa i përket mbështetjes së kësaj kërkese. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, thotë për Radion Evropa Lirë se nuk do ta përkrahë këtë kërkesë të veteranëve.
Ish-ushtari i UÇK-së thotë se Gjykata Speciale nuk është themeluar për ta dënuar luftën e UÇK-së, por sipas tij, duhet të dënohen vetëm ata që kanë vrarë njerëz të pafajshëm.
“Nuk do të përkrahet nga deputetët, nuk do të procedohet në Kuvend kur dihet se kjo gjykatë është formuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për krimet e bëra gjatë dhe pas luftës. Kjo gjykatë nuk është formuar për ta dënuar luftën e UÇK-së ngase dihet se lufta e saj ishte e pastër. Kjo gjykatë është formuar për vrasjet në luftë dhe pasluftë dhe ato duhet te zbardhen nga kjo gjykatë, pasi që UNMIK-u dhe EULEX-i dhe drejtësia jonë dështuan edhe pse kishin argumente të mjaftueshme”, thotë Rudi.
Mendim krejt tjetër ka deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj. Ai thotë se kjo kërkesë do të përkrahet nga partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Kërkesa që të hetohen të gjitha krimet, sidomos që i ka bërë Serbia në Kosovë është një iniciativë e drejtë dhe natyrshëm. Unë personalisht, dhe besoj që edhe Grupi Parlamentar i AAK-së, çfarëdo iniciative që ka të bëjë me këtë ndryshim është e pranueshme dhe e përkrahim”, thotë Selmanaj.
Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës disa herë e kanë quajtur si “raciste dhe të njëanshme” këtë Gjykatë, pasi sipas tyre ajo nuk do të hetojë edhe krimet serbe në Kosovë.
Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, në një konferencë për media tha se kërkojnë që kjo gjykatë të ketë një zyrë në Kosovës sikurse e ka edhe në Serbi.
“Kemi kërkuar gjithashtu që në emërtimin që ndodhet në objektin e kësaj Gjykate në Hagë, të jenë edhe simbolet e Kosovës. Një kërkesë tjetër është gjithashtu që Organizatës së Veteranëve, t’i mundësohet me ligj, monitorimi i Zyrës për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të Akuzuarit Potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe Prokurori Special”, tha Haradinaj.
Kërkesa e OVL e UÇK-së për ndryshim të Ligjit të Gjykatës Speciale, sipas avokatit Taulant Hodaj, është e vonuar, edhe pse konsiderohet e drejtë legjitime.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo është dashur të inkuadrohet në ligj kur është bërë për Dhomat e Specializuara, menjëherë pas amandamentimit kushtetues, që është bërë në vitin 2015.
“Kjo është kërkesë shumë legjitime, por në mënyrë që kjo të bëhet, duhet patjetër që të ketë një bashkërendim ndërkombëtar që duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe të ketë pëlqim paraprak nga Gjykata Kushtetuese dhe Dhomat e Specializuara”, thotë Hodaj.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, thotë se “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit për të zhvilluar gjykime të ndershme, të paanshme dhe të pavarura në përputhje me ligjin, pavarësisht zhvillimeve politike”.
Sipas Ligjit për Gjykatën Speciale, Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi krimet qe kanë të bëjnë me Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës. Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.
Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015.
Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë”, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Deri më tani prokurorët kanë intervistuar qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga prokurorët janë intervistuar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
Në muajin dhjetor të vitit 2017, 43 deputetë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës kishin parashtruar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar dy herë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk i patën dërguar përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Kryesisë, me çka e kishin pamundësuar kuorumin për vendimmarrje.
Komuniteti ndërkombëtar kishte bërë trysni që kjo nismë të mos procedohet.
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...
“Luks apo nevojë?” – Presidentja Osmani e hap ku...
FSK realizon trajnim për sistemin e armëve me ushtrinë turke
Konjufca pret në takim homologun nga Maqedonia e Veriut
Incizoi postbllokun e policisë afër Urës së Bistricës, arres...
Xuxi i thotë Xhenetës se nuk e ka ditur planin e Anisës për ...