Kostovski: Drejtësinë për falimentimin e “Eurostandard bankës” do ta kërkoj jashtë vendit

22:08 | 14 Gusht 2020
Arbresh.info

“Unë drejtësinë do ta kërkoj jashtë Republikës së Maqedonisë, sepse objektivisht ky është investim i huaj dhe i kemi të gjitha të drejtat legjitime për ta zhvilluar këtë proces gjyqësor në gjykatë ndërkombëtare”, theksoi Kostovski.

Ai shprehi keqardhje për ngjarjet, posaçërisht për klientët e bankës dhe tha se fajin e aksionarëve e locon në zgjedhjen e Këshillit drejtues të bankës.

“Ne do të iniciojmë padi penale për Këshillin drejtues për keqpërdorime, të cilët e keqpërdorin kapitalin e bankës dhe njëherit i keqpërdorin llogaritë edhe të personave privatë, edhe të atyre juridikë në bankë, pa njohurinë e tyre për t’i përdorë dhe t’i bëjë manipulative transaksionet”, theksoi Kostovski.

Ai theksoi se vetë do ta shpëtonin bankën, por “dikush ka shpejtuar”.

“Edhe për ne edhe për klientët do të ishte më lehtë që Banka popullore të na likuidonte para një viti. Sepse objektivisht kushtet të cilat sot zonja Bezhoska i cekë, ekzistonin edhe para një viti. për cilat shkaqe nuk e ndërmorën atë hap, nuk e di, megjithatë ne si familje u angazhuam se do të sigurojmë mjete të reja të freskëta për derikapitalizimin e bankës dhe deri në fund të vitit 10 milionë euro të freskëta hynë për sanimin e plasmaneve të këqija të cilat tashmë banka i kishte bërë”, sqaroi Kostovski.

Ai theksoi se secili njeri i cili mendon pak, do të kuptojë një gjë, se ngjarjet janë “sulm i planifikuar gjatë ndaj “Eurostandard bankës”.

“Arsyet unë nuk mund t’i gjej as nuk mund të depërtoj tek to për sjelljen e tillë të BP-së, sepse në Ligjin e BPRMV-së ekzistojnë pasuse në çfarë situatash BP mund t’u ndihmojë bankave konkrete për dalje nga situata e krizës, që BP-ja jonë këtë nuk e bëri”, theksoi Kostovski.

Ai shpjegoi se ata kishin një partner të mundshëm i cili mund të ketë shpenzuar rreth 100 mijë euro për të bërë një regjistrim të thelluar në bankë për ndërmarrjen e saj.

“Fatkeqësisht, BP nuk ndau as pesë minuta që t’i jepte atij investitori një shans për të udhëtuar në vend dhe të bisedojë, sepse nëse investon para dhe nëse nuk e merr licencën, atëherë për atë person ato janë para të humbura”, tha Kostovski.

Ai theksoi se nuk dëshiron të besojë në komplote dhe se nuk është një njeri që do ta pranonte atë stil, por erdhi me familjen e tij për të “investuar gjithçka në Maqedoni dhe dha gjithçka në Maqedoni”. Sot, siç tha ai, humbëm gjithçka.

“Ky është një skenar që është bërë me muaj të tërë, në mënyrë që askush të mos e dijë, vetëm të afërmit e atyre qarqeve nga BP janë njoftuar me kohë që t’i tërheqin paratë e tyre”, tha Kostovski.

Ai theksoi se do të marrin masa të rrepta për ta paditur Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Bankën Popullore për dëmet e shkaktuara, atyre si aksionarë dhe bankës në tërësi, duke theksuar se nëse ata e marrin dëmshpërblimin, ato fonde do të përdoren ekskluzivisht për t’i shlyer llogaritë e klientëve të tyre.

Djali i tij, Kosta Kostovski, tha se nuk ka dyshim se “Eurostandard Banka” ishte në një periudhë në të cilën kishte nevojë për rikapitalizim.

“Ne si familje u shkëputëm nga një ind i shëndetshëm i investimeve tona për ta shpëtuar “Eurostandard Bankën” dhe ato fonde u futën dhe të gjitha u bazuan në një plan dhe program të miratuar nga BP. Të njëjtat fonde u investuan për t’i mbuluar humbjet e bëra nga menaxhmenti i mëparshëm dhe vijoi një proces i rikapitalizimit dhe eventualisht në atë proces ne u penguam sepse u shkaktua situata kovid”, shpjegoi ai.

Kosta Kostovski theksoi se ata e shohin fajin e tyre vetëm në faktin që lejuan të prishet stabiliteti i bankës në periudhën e kaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme