Google ADS

Radhë të gjata në kufirin Shqipëri – Greqi, Xhaçka: Po zhvillojmë biseda intensive me palën greke

18:23 | 14 Gusht 2020
Arbresh.info

Radhët kilometrike të krijuara prej ditësh çuan në pikën Kufitare të Kakavijës ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Ministrja ishte e shoqëruar nga efektivë të Batalionit të Mbështetjes Rajonale të FA, ndërsa dërguan një automjet të posaçëm për të shpërndarë 10 mijë litra ujë për shqiptarët që po presin në radhë prej tre ditësh për të kaluar drejt shtetit grek.

Xhaçka tha po ashtu se janë koordinuar me ministritë e Shëndetësisë, Infrastrukturës si dhe bashkitë Dropull dhe Gjirokastër me qëllim që qytetarëve të mos u mungojnë elementët bazikë, ndërsa presin në radhë.

“Vlen të thuhet që po bëjmë shumëçka që të gjithë këtyre qytetarëve të mos u mungojnë gjërat bazike. Me ministrinë e Shëndetësisë jemi koordinuar për të suportuar me mjekët dhe infermierët për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojën tonë. Me ministrinë e infrastrukturës kemi koordinuar prurjen e disa dhjetëra tualetesh të lëvizshme të cilët do ti vijnë në ndihmë radhës së gjatë të makinave. Me bashkitë e Dropullit dhe të Gjirokastrës po koordinojmë pajisjen me ushqim”, tha ministrja.

Në një deklaratë për mediat, lidhur me situatën kaotike Xhaçka tha se ministritë e jashtme të dy vendeve janë duke zhvilluar bisedime intensive.

Ministrja theksoi se do të bëjnë të pamundurën për të lehtësuar situatën.

“Kjo është një nga temat e bisedimeve shumë intensive që po zhvillojnë ministritë tona të jashtme. Ajo që po bëjmë ne këtu përmes emergjencave civile dhe angazhimeve të qeverisë ti vijnë në ndihmë të gjithë qytetarëve me të gjitha nevojat që kanë për të mos i rrezikuar më tej. Kjo është një situatë që është krijuar me vullnetin e lirë të gjithë udhëtarëve. Ne do bëjmë maksimumin për ta lehtësuar këtë situatë. Po e theksoj jemi në bisedime shumë intensive edhe për të shtyrë orarin edhe për të rritur kapacitete”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Shkak për radhët e gjata në pikën kufitare është bërë testimi për Covid-19 që u bëhet emigrantëve shqiptarë nga pala greke.

Ndrëkaq, ministrja e Jashtme njoftoi më herët sot se është shtuar numri i testimeve brenda orës nga 200 në 330, ndërkohë që po punohet për të negociuar zgjatjen e orarit të punës në sportele, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe gjatë orëve të natës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme