Google ADS

Hale: FBI do t’u bashkohet hetimeve për shpërthimin në Bejrut

15:45 | 14 Gusht 2020
Arditë Shkodra

Byroja Federale e Hetimit e SHBA-së (FBI) do t’i bashkohet hetimeve mbi shkaqet e shpërthimit shkatërrues, që goditi Bejrutin javën e kaluar, tha sot një zyrtar amerikan.

“Pjesëmarrja e FBI-së vjen me kërkesë të qeverisë libaneze”, shtoi Nënsekretari amerikan për Çështjet Politike, David Hale, cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Liban, NNA.

Hale, i cili aktualisht është në një vizitë solidariteti në Liban, do të takohet me zyrtarë libanezë, sipas një deklarate të Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai do të ritheksojë angazhimin e SHBA për të ndihmuar popullin libanez për t’u rimëkëmbur nga tragjedia dhe për të rindërtuar jetën e tyre.

Vizita e Hale vjen disa orë pasi parlamenti i Libanit miratoi një gjendje të jashtëzakonshme për Bejrutin në mbledhjen e parë të legjislaturës, që nga shpërthimi vdekjeprurës, duke u dhënë autoriteteve autorizime të shtypin çdo veprim që shihet si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme