19 vjet pas, Marrëveshja e Ohrit nuk po zbatohet plotësisht

21:16 | 13 Gusht 2020
Arbresh.info

Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, më 13 gusht, 2001, u nënshkrua Marrëveshja kornizë e Ohrit, përmes së cilës iu dha fund konfliktit të armatosur, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

Ky dokument për bazë ka zhvillimin e shtetit mbi parime të bashkëjetesës dhe barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve.

Aktorët e kyçur drejtpërdrejtë në hartimin e këtij dokumenti kornizë, thonë se Marrëveshjesh së Ohrit ishte marrëveshje historike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por shtojnë se në vazhdimësi, kësaj marrëveshjeje, i janë bërë hile, në favor të interesave të ngushta partiake.

Xhevdet Nasufi, një nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit dhe ish-ministër i Drejtësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky dokument kishte dy objektiva themelore: ndërprerjen e konfliktit të armatosur dhe avancimin e statusit juridik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Faktikisht Marrëveshje e Ohrit kishte dy objektiva themelore, të ndërpritet armiqësia mes shqiptarëve dhe maqedonasve, lufta, dhe të sanksionohet, të rregullohet juridikisht pozita e shqiptarëve që faktikisht do të thotë të ndërpritet koncepti i shtetit mono-etnik apo shteti njëkombësh”, thotë Nasufi.

Ai thekson se si hartues i marrëveshjes, i gjithë fokusi i marrëveshjes ishte vendosur në atë që karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror, por nënvizon se ky dokument kornizë është devijuar, për të realizuar, siç thotë ai, interesat e ngushta partiake.

Xhevdet Nasufi thotë se është lënë anash shtylla kryesore e kësaj marrëveshjeje, ajo e decentralizimit të pushtetit, ndërkohë që gjuha shqipe nuk po arrin të gjejë zbatim në praktikë, për shkak të rezistencës së institucioneve, ndërkaq, përfaqësimi i shqiptarëve në institucione është larg përfaqësimit cilësor.

“Funksionet shtetformuese – ata që i ushtrojnë funksionet e shtetit në Maqedoninë e Veriut, janë pothuajse vetëm maqedonasit. Pra, punësimi i shqiptarëve në institucionet e shtetit nuk ka shkuar në aspektin cilësor në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, që shqiptarët të jenë element i ushtrimit të funksionit të shtetit. Tani gjithçka është koncentruar në gjuhën shqipe, përkatësisht në zyrtarizimin e saj”, thotë Nasufi.

“Për sa i përket demokracisë konsensuale, ku jemi ne në rrafshin e demokracisë konsensuale? Pra, gjuha shqipe është vetëm një segment, por ka edhe shumë segmente të tjera që janë lënë anash dhe askush nuk flet për këtë”, theksoi ai.

“Kërkesat e partive shqiptare, joparimore”

Ndërkaq, pala maqedonase vlerëson se partitë politike padrejtësisht po synojnë që ta zgjerojnë Marrëveshjen e Ohrit, duke paraqitur kërkesa të reja.

Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Tito Petkovski, thotë se Marrëveshja e Ohrit solli paqen, por shton se problematike vazhdon të jetë ajo që partitë shqiptare, sipas tij, po synojnë që ta zgjerojnë këtë marrëveshje, me kërkesa të reja për shqiptarët.

“Roli pozitiv i Marrëveshjes së Ohrit ishte zbatimi i paqes, por tani për çdo çështje kur nuk u përgjigjet kërkesave të partive shqiptare, ato kërkojnë nga qeveria zgjerimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo është joparimore dhe mosrespektim nga partnerët që ishin pjesë e marrëveshjes në fjalë”, thotë Petkovski.

Ai thekson se Marrëveshja e Ohrit, si parim kryesor kishte ndërtimin e shtetit mbi konceptin qytetar – pra, shteti që iu përket popujve që jetojnë në të.

“Duket se këtë marrëveshje shumica e konsiderojnë si ndryshim të sovranitetit të shtetit, gjë që kjo nuk është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, thotë Petkovski.

Ndryshe, bisedimet në nivel ekspertësh dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit – ku drejtpërdrejt u përfshinë edhe ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa – u mbajtën në Ohër për dhjetë ditë me radhë, prandaj edhe Marrëveshja e Ohrit mori këtë emërtim.

Megjithatë, dokumenti kornizë – që i dha fund konfliktit të armatosur gjatë vitit 2001 – u nënshkrua më 13 gusht në Shkup nga presidenti i atëhershëm maqedonas, Boris Trajkovski si dhe liderët e partive kryesore politike: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Kjo marrëveshje u nënshkrua në praninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë: François Leotard dhe James Perdiue.

Për të ndjekur dinamikën e realizimit të Marrëveshjes s Ohrit palët ranë dakord për formimin e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në kuadër të qeverisë, i cili dikaster para dy vjetësh u shua, duke kaluar në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme