Google ADS

Për 12 ditë, 11 persona humbën jetën në aksidente

17:15 | 13 Gusht 2020
Arbresh.info

Në 12 ditët e para të muajit gusht janë shënuar 62 aksidente në të gjithë vendin. Si pasoje 11 persona kanë humbur jetën dhe 70 të tjerë janë plagosur. Sipas ekspertëve rrugorë, shkak i këtyre aksidenteve është bërë edhe mosmenaxhimi i mirë i trafikut nga ana e policisë.

“Një nga faktorët që ka ndikuar në këtë është edhe ardhja e shumë bashkëatdhetarëve si dhe lëvizja më tepër e qytetarëve tanë. Kjo ka sjellë përfshirjen e tyre në aksidente të ndryshme rrugore. Duhet menaxhuar më tepër trafiku dhe këto duhet të ishin bërë para se të vinte sezoni. Muaji gusht gjithmonë ka qenë ky problem”, shprehet Artur Sulçe, ekspert i Sigurisë Rrugore.

Sulçe shprehet më tej se një tjetër faktor për aksidenteve fatale është shpejtësia tej normave të lejuara, si dhe sinjalistika rrugore.

“Shpejtësia ka lidhje me mënyrën e lëvizjes dhe të sjelljes së përdoruesit, ndërsa sinjalistika rrugore përcakton mënyrën si duhet të sillet një përdorues rruge. A është vendosur mirë apo keq, kjo është një problem tjetër. Por parimet bazë për të cilat është ndërtuar një sinjalistikë rrugore lidhet me përcaktimin e detyrueshëm të sjelljes së përdoruesve të rrugës. Nëse kjo sinjalistikë respektohet nga përdoruesit jam i sigurt se numri i aksidenteve do të bjerë”, shprehet eksperti.

Duke iu referuar statistikave, gjatë 7 muajve të parë të këtij viti janë regjistruar në të gjithë vendin 635 aksidente ose 227 me pak se në të njëjtën periudhe të vitit të shkuar.

88 persona humben jetën në këto aksidente nga janari në deri në fund të korrikut këtë vit, ose 27 me pak se ne 7 mujorin e parë të 2019.

Por ky numër më i ulet aksidentesh lidhet edhe me karantinën që zgjati mbi 2 muaj këtë vit për shkak të pandemisë së Covid, gjatë së cilës lëvizja e automjeteve nëpër rrugët e vendit ka qene mjaft e kufizuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme