U promovua libri “Heshtja e Dashurisë” i Malsore Llapashtica

00:01 | 30 Tetor 2015
M. A.

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogadani” Prishtinë, sot u promovua libri “Heshtja e dashurisë”, shqip-italisht, i autores Malsore Llapashtica, e cila udhëtoi nga Italia për të qenë prezent në këtë takim letrar.

Takimin e drejtonte Frrok Kristaj, shkrimtar, studiues, publicist. Merrnin pjesë një auditor i përzgjedhur nga fusha letrare, Abdyl Kadolli, Adem Zaplluzha, Hysni Gashi e të tjerë. Në takim mori pjesë dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Tima Kadrija, e cila në fjalën e saj, mes tjerash, tha, se “poetët duhen mbështetur në misionin e tyre artistik e kulturor”.

Ndërsa poetja dhe redaktorja e librit nga Tirana, Fatime Kulli, u shpreh në fjalën e saj:

“Vëllimi poetik, “Heshtja e dashurisë”, na intrigon dhe ysht për ta lexuar me ëndje, na fut në një botë të ndjeshme me shpirtin e thellë të dëshirave njerëzore në poezi. Në tërësinë e këtij libri, gjallon një poezi koncize e herë hermetike, që vetëm një lexues i kualifikuar mund të gërryej me “traponin”e trurit, për t’i gjetur thellësinë e asaj çka ka dashur të thotë autorja. Poezia e Malësores zhytet si nëndet ëse brenda karakterit poetik, për shkak të nuancave dhe lëvizshmërisë së gjendjes shpirtërore në aktin e krijimit lirik, me një tematikë të larmishme, në shumë këndvështrime. Veçojë në këtë buqetë të larmishme me poezi: “Gjuha e prekjes”, “Hija e fytyrës”, “Bimët e fshehtësisë”, “Zjarrheshtur…” , “Skulptore e gjallë”, “Virgjëresha vdes e virgjër” , “Heshtja e dashurisë” e të tjera.

Shpirti poetik i autores Llapashtica, rreket me prekë çdo detaj poetik, nga ngjarjet apo ëndrrat e jetuara ose të ëndërruara… Poezitë e autores Malësore Llapashtica shfaqen brenda një bote të ndjeshme, ku lexuesit do t’i mbetet gjatë në mendjen metafora poetike “Heshtja e dashurisë” për shpirtin poetik, për artin e përdorur me mjeshtëri në çdo fjalë, në çdo varg, në çdo poezi.”

Po etja Kulli pas fjalës së saj, lexoi poezi nga libri ku u duartrokit nga auditori. Autorja Llapashtica e emocionuar nga vlerësimet që i bënë kolegët, shprehu mirënjohje të thellë pjesëmarrësve dhe mes të tjerash, tha:

“Libri im është botuar në Lece të Italisë dhe është promovuar dy herë në Itali, por unë nuk ndjehesha mirë, pa e prezantuar librin në Kosovën time”.

Promovimi u kthye në një festë letrare, ku diskutimet e vlerësimet ndaj autores, vazhduan gjatë. Libri “Heshtja e Dashurisë ( shqip-italisht) është vlerësuar shumë në Itali dhe është botuar me kontratë mes autores dhe botuesit italian, e cila pret të botojë të tjera vepra të sajat në Itali.

“Heshtja e Dashurisë” është përmbledhja e tretë me radhë e krijueses Malsore Llapashtica nga Prishtina. Llapashtica në Kosovë ka botuar përmbledhjet me poezi: “Zogu i mbyllur” (1997) dhe “I kam mërzitur vrasësitë” (2000). Ajo tash punon në I tali, ku edhe e ka botuar përmbledhjen me poezi “Il Silenezio del Amore” (“Heshtja e dashurisë”).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme