Greqia “mbyll veshët” ndaj thirrjes së Turqisë për dialog

23:42 | 11 Gusht 2020
Arbresh.info

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias tha sot se aktivitetet legjitime të Turqisë të kryera nga anija e kërkimeve sizmike MTA Oruç Reis në Mesdheun Lindor “shkelin shelfin kontinental grek”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para përfaqësuesve të mediave pas takimit me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, ministri Dendias kërcënoi Turqinë, duke thënë se Greqia “nuk do të pranojë një fait të kryer, nuk do të ketë tolerancë”.

“Ne i bëjmë thirrje Turqisë të largohet menjëherë nga shelfi kontinental Grek”, tha Dendias pavarësisht thirrjes së Turqisë për dialog dhe negociata.

Duke pohuar se Turqia u largua nga mirëkuptimi modern i shekullit 21, ai fajësoi Turqinë për “veprim të çuditshëm”.

Dendias gjithashtu tha se ai kishte kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së për të diskutuar çështjen.

Përderisa Ankaraja vazhdon të mbrojë interesat e saj legjitime në Mesdheun Lindor përmes aktiviteteve diplomatike dhe ushtarake, ajo i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht vendeve të rajonit, për një bashkëpunim gjithëpërfshirës të bazuar në negociata.

Muajin e kaluar, pasi Athina kundërshtoi studimin sizmik të bërë nga Ankaraja zyrtare në një zonë në jug të ishullit Meis, ose Kastellorizo, përpjekjet diplomatike gjermane ndihmuan në zbutjen e tensionit midis Turqisë dhe Greqisë.

Mirëpo, tension midis dy fqinjëve ka ringjallur veprimi i diskutueshëm i Greqisë javën e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje të diskutueshme për caktimin e kufijve detar me Egjiptin, për të cilën Turqia thotë se shkel shelfin e saj kontinental dhe të drejtat detare.

Turqia njoftoi dje se anija e saj sizmike Oruç Reis do të rifillojë kërkimet në rajon deri më 23 gusht.

Ankaraja ka akuzuar prej kohësh Greqinë për ndjekjen e politikave maksimiste në Mesdheun Lindor dhe ka theksuar se pretendimet e saj detare shkelin të drejtat sovrane të Turqisë.

Turqia, si një shtet garantues i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se edhe TRNC po ashtu ka të drejta mbi burimet në këtë zonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme