Google ADS

Dhjetë ndeshje, katër trofe – Odriozola synon edhe Ligën e Kampionëve

15:33 | 11 Gusht 2020
A. B.

Alvaro Odriozola ka arritur t’i fitojë katër trofe në dy vende të ndryshme këtë sezon, përkundër që ka luajtur gjithsej në dhjetë ndeshje,

I huazuari në Bayern Munich i ka fituar titujt e Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë me bavarezët, si dhe titujt e La Ligës dhe Superkupës së Spanjës me Real Madridin gjatë këtij sezoni.

Nëse bavarezët e fitojnë titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, atëherë Odriozola do ta kërkojë medaljen e tij të pestë këtë sezon.

Para se të largohej nga Real Madridi, 24-vjeçari e kishte zhvilluar vetëm një ndeshje në Ligën e Kampionëve me Los Blancos, ndërsa ishte lënë në stol për një ndeshje tjetër.

Ai nuk ka arritur të gjejë më shumë minuta lojë as në Allianz Arena, mirëpo të shtunën debutoi në Ligën e Kampionëve me klubin e Bundesligës, në ndeshjen kundër Chelseat. Ai e asistoi golin e dytë të Robert Lewandowskit në fitoren me rezultat 4:1.

Një trofe çdo 153 minuta lojë

Odriozola ka luajtur në tri ndeshje të Bundesligës, në një ndeshje të Kupës së Gjermanisë dhe në katër ndeshje të La Ligës. Ai nuk luajti në Superkupën e Spanjës, pasi që ishte në stol edhe në gjysmëfinale e edhe në finale, mirëpo mori medalje pasi që ishte pjesë e skuadrës.

Kjo bën që Odriozola t’i ketë fituar katër trofe në dhjetë ndeshje të zhvilluara, ose një trofe për çdo 153 minuta lojë.

Tani, ai mund të përqendrohet në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, mirëpo e ardhmja e tij mbetet e paqartë.

Bayerni nuk dëshiron ta transferojë atë në formë permanente dhe ai s’do të jetë opsion i parë për pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë në Real Madrid. Odriozola dëshiron të kthehet në Spanjë dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme