Google ADS

Bizneset diskutojnë për rimëkëmbjen ekonomike me Ministrin Kuçi

15:20 | 10 Gusht 2020
Arbresh.info

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një konferencë virtuale me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në të cilën u diskutua për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit si dhe mundësitë e Qeverisë për përkrahje ndaj sektorit privat. Gjatë kësaj konference ministri Kuçi foli për strategjitë për arritjen e rimëkëmbjes së mirëfilltë ekonomike, mbështetjen e Qeverisë për ndërmarrjet private të të gjithë sektorëve, si dhe ndryshimet e nevojshme në aspektin ligjor për të mundësuar implementimin e masave për rimëkëmbje.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, bëri thirrje për përshpejtim të procedurave për miratimin e projektligjeve të cilat sigurojnë mbështetje ndaj sektorit privat, derisa theksoi se anëtarët e Odës Amerikane në mënyrë konstante kanë dhënë rekomandime për Qeverinë në mënyrë që ajo t’i dalë në ndihmë ekonomisë së vendit në këtë situatë krize.

“Ministri Kuçi theksoi se puna e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit bazohet në plan-programin për reformë ekonomike 2020-2023, ndërsa përmban edhe nëntë masa të destinuara për rimëkëmbje ekonomike, përmes së cilave synohet t’u ofrohet mbështetje të gjitha ndërmarrjeve private të goditura nga kriza e shkaktuar pas shpërthimit të pandemisë. Sipas Ministrit Kuçi, projektligji për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e pandemisë COVID–19 përfshin lehtësimin për qasje në financa, zvogëlimin e barrës tatimore, mbështetjen e punësimit, subvencionimin e pagave të punëtorëve në sektorin privat, si dhe stimulimin e përgjithshëm të kërkesës agregate. Ministri Kuçi potencoi se duke e marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19, investimet kapitale të parapara për këtë vit janë përgjysmuar në mënyrë që të krijohen fondet e nevojshme për rimëkëmbje. Ai gjithashtu përmendi se pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, Qeveria mbetet e fokusuar në implementimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, derisa tha se strategjitë e përdorura janë në koordinim me mekanizmat dhe praktikat e institucioneve ndërkombëtare.

Gjatë kësaj konferencë përfaqësuesit e ndërmarrjeve anëtare të Odës Amerikane, si dhe kryesuesit e komiteteve të ndryshme brenda kësaj Ode, patën mundësi të ofronin një pasqyrë më të detajuar mbi ndikimet që pandemia COVID-19 ka pasur mbi veprimtaritë e tyre, por edhe rekomandime mbi mbështetjen për të cilën ka nevojë sektori privat”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrësi Ardian Hoxha, kryesues i Komitetit të Ekonomisë Digjitale të Odës Amerikane theksoi se Kosovës i duhen investime të mençura në sektorin e teknologjisë informative dhe komunikimit, i cili sipas tij ka potencialin më të madh për rritje por pengohet nga barrierat më bazike, duke përmendur nevojën urgjente për të shtyrë përpara Projektligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.

Avni Krasniqi nga kompania Delfin, njëherit kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave të Odës Amerikane, potencoi se është e domosdoshme të bëhet zbatimi sa më i shpejtë i masave në ndihmë të sektorit privat, në mënyrë që të evitohet humbja e mëtutjeshme e vendeve të punës.

Milazim Abazi nga BDO Kosova, kryesues i Komitetit të Financave të Odës Amerikane, u shpreh se Qeveria duhet të përkrahë fuqishëm sektorin privat dhe të lehtësojë rrugën për implementim të projekteve dhe dhënie të granteve nga institucionet ndërkombëtare financiare në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme