Google ADS

Vazhdon të rritet numri i të infektuarve në Rusi

12:30 | 9 Gusht 2020
Arbresh.info

Në 24 orët e fundit, në Rusi janë shënuar 5.189 raste të reja me COVID-19 dhe 77 vdekje.

Në Rusi, numri i rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri (COVID-19) ka arritur në 887.536, ndërsa ai i të vdekurve në 14.931.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit në Rusi njoftoi se në 24 orët e fundit janë shënuar 5.189 raste të reja me COVID-19 dhe 77 vdekje. Po ashtu, me 3.215 raste të reja, numri i pacientëve të shëruar ka arritur në 693.422.

Norma e rritjes ditore e numrit të rasteve në Rusi është 0,6 për qind dhe te 26,6 për qind e rasteve të reja nuk janë vërejtur simptoma.

Në kryeqytetin Moskë, në 24 orët e fundit janë shënuar 689 raste të reja, me çka numri i tyre është rritur në 247.534, ndërsa me 12 vdekje të reja, numri i viktimave në kryeqytet u rrit në 4.572.

Shërbimi i Mbrojtjes së Shëndetit të Njeriut dhe të Drejtave të Konsumatorit në Rusi tha se në 24 orët e fundit janë kryer 298 mijë teste, ndërsa numri i testeve të kryera deri më sot tejkalon shifrën 30,6 milionë.

Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u regjistrua më 31 janar, ndërsa vdekja e parë më 19 mars. Masat kundër pandemisë në vend filluan në fund të muajit mars.

Në disa pjesë të vendit u lehtësuan masat për shkak se u regjistrua rënie e numrit të rasteve. Bashkë me këtë u bë e detyrueshme vendosja e maskave dhe dorezave në ambiente të mbyllura dhe të frekuentuara.

Kufizimi i daljes në rrugë në Moskë, që filloi më 30 mars, u hoq më 9 qershor.

Në kuadrin e masave kundër COVID-19, Rusia më 27 mars ndaloi të gjitha fluturimet ndërkombëtare dhe që nga 1 gushti rifilloi në mënyrë të ndërsjellë fluturimet ndërkombëtare me Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Tanzaninë./aa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme