Google ADS

SHBA dërgon ndihma emergjente në Liban

18:19 | 8 Gusht 2020
A. B.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë ndihmë emergjente në Liban, duke filluar me ushqime, ujë dhe furnizime mjekësore, nën drejtimin e Presidentit Donald Trump, pas shpërthimit të së martës në Bejrut, tha këshilltari i sigurimit kombëtar Robert O’Brien.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojë me autoritetet në Liban për të identifikuar nevojat e mëtejshme shëndetësore dhe humanitare dhe do të japin ndihma të mëtejshme. Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar po dërgon një ekip për të lehtësuar koordinimin dhe ofrimin e ndihmës, thuhet në deklaratë.

Administrata Trump fillimisht ka premtuar më shumë se 17 milion dollarë ndihmë për katastrofën, tha Sekretari i Shtetit Michael Pompeo, dhe “do të vazhdojë të ndihmojë popullin libanez për t’u rimëkëmbur nga kjo tragjedi”.

Përveç ndihmës, tha zoti Pompeo, SHBA po u bashkohet vendeve të tjera në thirrjen për “një hetim të plotë dhe transparent” mbi shkakun e shpërthimit.

Punonjësit e shpëtimit të Kombeve të Bashkuara kontrolluan të premten nën rrënoja për njerëz që mund të kenë mbetur gjallë. Ekipet franceze dhe ruse me qen gjithashtu kontrolluan zonën e shpërthimit.

Autoritetet libaneze besojnë se 2,750 tonë nitrit amoniumi të depozituara në depo gjashtë vitet e fundit çuan në shpërthimin e së martës, që shkaktoi 158 të vrarë, plagosi më shumë se 5,000 dhe la 300,000 të tjerë të pastrehë.

Midis të plagosurve ishte gruaja e ambasadorit hollandez në Liban, Hedwig Waltmans-Molier, “e cila më pas humbi jetën nga plagët e marra prej shpërthimit të madh,” tha Ministria e Punëve të Jashtme hollandeze në një deklaratë të shtunën.

“Hedwig ishte duke qëndruar pranë Jan-it në dhomën e ndënjes kur, për fatin e saj të keq, u godit nga shpërthimi,” thuhet në deklaratë. Waltmans-Molier ishte 55 vjeç.

Vlerësimet fillestare të dëmeve arrijnë në 15 miliardë dollarë.

Zyrtarët libanezë të shëndetësisë janë të shqetësuar se katastrofa do të rëndojë gjendjen e koronavirusit ndërkohë që viktimat kanë mbushur spitalet dhe njerëzit e mbetur në rrugë kërkojnë strehim.

Organizata Human Rights Watch ishte e para që bëri thirrje për një hetim të pavarur të shpërthimit. Ajo tha se ekspertët ndërkombëtarë duhet të lejohen në Liban të “përcaktojnë shkaqet dhe përgjegjësinë për shpërthimin dhe të rekomandojnë masa për të siguruar se kjo nuk do të ndodhë më.”

Rusia dërgoi një spital ushtarak të lëvizshëm së bashku me 50 punonjës mjekësorë. Katari po dërgon gjithashtu një spital në terren, ndërsa Iraku një ekip mjekësor dhe ngarkesa me furnizime.

Tunizia ofroi të merrte pacientë për t’i trajtuar ndërsa Gjermania ka dërguar një ekip ekspertësh dhe qen kërkimi.

Ndërkaq ka patur premtime për fonde nga Australia, Britania, Hungaria dhe vende të tjera. /VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme