Meta kujton eksodin e 8 gushtit 1991 drejt Italisë

16:55 | 8 Gusht 2020
A. B.

Presidenti Ilir Meta kujtoi sot eksodin e 8 gushtit 1991 me anijen “Vlora” drejt brigjeve të Italisë, ndërsa u shpreh se “është koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre”.

‘Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë. Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi”, tha Meta.

Presidenti tha se “fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur”.

“Në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, është koha të ankorojmë shpresën në vendin tonë dhe të përmbushim ëndrrën e çdo qytetari, për një Shqipëri si gjithë Evropa”, tha Meta.

Ai u shpreh se “është koha për ta ndërtuar Evropën këtu dhe për t’i thënë “Kurrë më” çdo projekti izolues dhe shpopullues”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme