Google ADS

Qeveritë ‘lojë’ me ndërmarrjet publike, Gërxhaliu: Nga borxhi milionësh ndaj Devollëve më së shumti do të përfitojnë politikanët

16:06 | 8 Gusht 2020
Arbresh.info

Muajin që lamë pas ndërmarrja publike, Telekomi i Kosovës iu ofrua edhe një hap falimentimit, pasi iu bllokuan të gjitha llogaritë bankare.

E pas tërheqjes së parave që gjendeshin në xhirollogari, anëtarët e bordit kanë dhënë dorëheqje.

Ndërsa, ditë më vonë qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka shkarkuar edhe anëtaret e bordeve të disa ndërmarrjeve publike duke i zëvendësuar me të rinj.

Këtë e ka komentuar për arbresh.info, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë se mungesa e rendit dhe ligjit është sëmundja “kancerogjene” e Kosovës dhe zhvillimit ekonomik.

Gërxhaliu ka shprehur dyshimin se politika është e lidhur ngushtë me krimin.

“Duhet të kuptohet që sëmundja kancerogjene e Kosovës dhe zhvillimit ekonomik është mungesa e rendit dhe ligjit, e sfidat do të jenë shumë të mëdha dhe e dyta nuk mund të paramendoj dhe të arsyetoj që të paguhet një dëm dhe të mos identifikohet fajtori. Në këtë drejtim kam dro që politika është e lidhur shumë ngushtë me çarqe të caktuara të krimit, që janë ato që godasin ndërmarrjet publike”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në borxhin e Telekomit ndaj Z-Mobile më së shumti do të përfitojnë politikanët.

“Nga 28 milionë sa duhet t’i paguajnë Devollit, fillimisht duhet të identifikohet se kush janë ata që kanë përgatitur këtë platformë dhe besoj se nga ato mjete më së paku do të merr Devolli. Në rend të parë duhet të identifikohet përgjegjësi”, ka shtuar ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka theksuar se politikanët në Kosovë po shkatërrojnë shtetin për interesa personale dhe partiake.

“Politikbërsitë shumë më tepër kalkulojnë në vota dhe meritokraci partiake sesa në funksionalitet të ndërmarrjeve. Në Kosovë politikbësit janë makiavelistët më të mëdhenj që e shkatërrojnë shtetin për interesa të tyre dhe pozitë. Është mjerim që dua të besoj se do t’i takojë të shkuarës”, ka thënë ai.

Gerxhaliu ka vlerësuar se gjithë kjo ‘lojë’ politike do t’i sjellë vendit pasoja të mëdha.

“Sot nuk ka garë për të vendosur borde bazuar në vlera profesionale apo performancë po vetëm në përkatësi politike dhe lojalitet e servelitet. Pasojat do të jenë shumë të madha dhe e tëra kjo do të reflektohet në aspektin negativ në të ardhmen e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, arbresh.info kishte raportuar ekskluzivisht për bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës kishte ftuar disa herë në takim përfaqësuesit e Telekomit për të gjetur një zgjidhje. Në njërin prej takimeve i pranishëm ishte edhe Blerim Devolli, pronar i kompanisë Z-Mobile.

Pas takimit kishte deklarime optimiste dhe llogaritë bankare do të zhbllokoheshin po atë ditë por ndodhi e kundërta, pasdite ishin tërhequr të gjitha mjetet që gjendeshin në llogari.

Ndrësa më 28 korrik, ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, përmes një postimi të bërë në facebook kishte njoftuar se janë zhbllokuar llogaritë e Telekomit.

“Zhbllokohen llogaritë e Telekomit Pas shumë përpjekjeve, sot arritëm dakordimin për zhbllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës. Nga nesër llogaritë do t’i kthehen normalitetit dhe jemi të përkushtuar që Telekomi i Kosovës të operojë me përformancë të lartë. U bëjmë thirrje punëtorëve të Telekomit që të qetësohen dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë të kësaj ndërmarrje”, kishte shkruar Kuçi.

Për gjendjen e krijuar në Telekomit e Kosovës për arbresh.info kishte folur edhe kryeshefja e ndërmarrjes , Burbuqe Hana.

Ajo e kishte quajtur zhvatëse kompaninë Z-Mobile e cila edhe i kishte bllokuar llogaritë bankare, ndërmarrjes publike./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme