Google ADS

Më pak ministri, më shumë punë për ministrat e rinj në Maqedoni

16:18 | 6 Gusht 2020
A. B.

Ideja për zvogëlimin e numrit të ministrive, gjegjësisht shfuqizimin e ministrive pa resorë vlerësohet si ide e mirë. Njohësit e rrethanave politike thonë se këto ministri deri më tani, jo vetëm që kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, por edhe kanë çorientuar edhe punën e ekzekutivit.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, së fundmi është deklaruar se në bisedimet për të siguruar shumicë të re parlamentare, mes tjerash – me partnerët e ardhshëm do të bisedojë edhe për zvogëlimin e numrit të ministrive. Sipas tij, të gjitha ministritë pa resorë, përveç Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe atë për Çështje ekonomike, do të shfuqizohen. “Edhe gjatë fushatës elektorale kemi premtuar edhe në vet fushatën zgjedhore se ministritë pa resor do ti shfuqizojmë. Kjo do të thotë se mund të bisedohet që të vazhdojnë së funksionuari, vetëm se zëvendëskryeministrat për çështje evropiane dhe ekonomike, të gjitha tjerat gjashtë apo shtatë sa ishin, do të shfuqizohen. Shteti, sipas Ligjit për Qeverinë, ka 16 ministri”, deklaroi Zaev. I pyetur të komentojë idenë e kreut të LSDM-së për shfuqizimit të ministrave pa resor, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në deklaratë për gazetën KOHA deklaroi se këto janë çështje që negociohen, nëse vije deri te negociatat. “Ne jemi duke i analizuar gjërat”, nënvizoi Ahmeti.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH) Surija Rashidi lidhur me këtë ide tha se partia e tyre gjithnjë ka qenë kundër krijimit të ministrive për të kënaqur kërkesat e palëve. “Qëndrimet tona kanë qenë gjithnjë kundër kësaj ideje që të krijohen ministri pa resorë vetëm sa për të kënaqur kërkesat e partive politike. Dhe çdo tentativë për të ulur koston e harxhimeve të panevojshme për ministri të tepërta, është për ta përshëndetur”, deklaroi Rashidi. Nga OBRM-PDUKM thonë se zvogëlimi i numrit të ministrive ka qenë edhe një nga pikat e programit të tyre elektoral. “OBRM-PDUKM angazhohet për rishqyrtim dhe racionalizim të shtrirjes së organeve drejtuese të shtetit, me mundësinë e bashkimit dhe shfuqizimit të disa organeve shtetërore (ministri, agjenci etj)”, thonë për KOHA nga OBRM-PDUKM.

Ish-kryetari i Parlamentit, Stojan Andov, ndërkohë vlerëson se një numër kaq i madh i ministrive pa resorë e çorienton veprimtarinë e ekzekutivit dhe se, sipas tij, do të ishte mirë që ekzekutivi të jetë i organizuar sipas resorëve. “Ministra pa resorë mund të jenë një ose dy, jo kaq sa kemi tani. Më mirë dhe më funksionale do të jetë që punët të ndahen nëpër resorë. Të kemi ministri të resorëve të caktuar. Në këtë mënyrë sa kemi ne ministri pa resorë, është konfuze dhe në dëm të buxhetit të shtetit. Kemi ministra pa resorë dhe këshilltarë të kryeministrit për të njëjtën çështje, njëjtë pa resorë. Për këtë arsye është e nevojshme të kemi Qeveri të pastër me resorë të caktuar, dhe eventualisht një ose dy ministri pa resorë për çështje të caktuara”, deklaroi për KOHA, Andov. Ndërsa, ish-deputeti Muhamed Halili konsideron se zvogëlimi i numrit të ministrive do të zvogëlonte edhe harxhimet buxhetore.

“Ky është propozim i duhur, nuk ka pasur nevojë të kemi një numër kaq të madh të ministrave pa resorë. Zaevi në zgjedhjet e kaluara para se ti fitojë zgjedhjet, kishte premtuar se do zvogëlojë numrin e ministrive, por në mandatin e tij nga 2017 e këndej, nuk veproi ashtu. Një numër i madh i ministrave aty nuk kanë kryer faktikisht asnjë obligim konkret, kështu që kemi pasur vetëm se harxhime. Aq më tepër kur nuk i kanë pasur të ndara edhe detyrat si duhet. Kishim ministër pa resorë për zhvillim ekonomik etj, por rezultatet nuk kanë qenë në nivel të harxhimeve”, shprehet në prononcim për “KOHA”, Halili.

Ndryshe, para se të vijë në pushtet në vitin 2016, LSDM premtoi zvogëlimin e numrit të ministrive në 20. Por, në vend të kësaj, ajo formoi ministri të re për sistem politik, dhe numrin e ministrive resore e rriti nga 15 në 16, ndërsa shtoi edhe disa ministri pa resor dhe numri shkoi në 27. Sipas Ligjit për Qeverinë, Maqedonia e Veriut duhet të ketë ekzekutiv prej 16 ministrave, por me qëllim që ti plotësojë ambiciet e partnerëve më të vegjël, të cilët mbështetën Qeverinë e Zaevit dhe ndryshimet Kushtetuese, të nevojshme për t’u arrit Marrëveshja me Greqinë dhe Bullgarinë, Zaevi shtoi edhe disa ministri pa resorë. Nga vendet e rajonit, Kosova dhe Kroacia tanimë kanë bërë zvogëlim të numrit të ministrive. /Koha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme