Ministri libanez: Kapaciteti për t’u përballur me ndikimin e shpërthimit është “shumë i kufizuar”

15:27 | 6 Gusht 2020
Arbresh.info

Ministri i Ekonomisë i Libanit, Raoul Nehme, ka deklaruar se kapaciteti financiar i vendit të tij për t’u përballur me ndikimin e shpërthimit të depove të portit në kryeqytetin Bejrut është “shumë i kufizuar”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Për një kanal televiziv lokal, Nehme tha se dëmet e shpërthimit shkatërrues vlerësohet të jenë miliarda dollarë.

“Kapaciteti i shtetit është shumë i kufizuar dhe ashtu është edhe ai i bankës qendrore dhe bankave të tjera. Depot e drithërave janë shkatërruar plotësisht dhe na nevojitet kohë për të vlerësuar dëmet”, tha Nehme.

Porti i Bejrutit u përdor si depo për mallrat themelore, të tilla si drithërat, produktet ushqimore dhe ilaçet.

Ministri libanez theksoi se e vetmja zgjidhje për vendin është të punojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Të martën, Bejruti dhe rrethina e saj u tronditën nga një shpërthim masiv, që la të vdekur të paktën 135 persona dhe rreth 5 mijë të tjerë të plagosur.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se shpërthimi është shkaktuar nga plasja e nitratit të amoniumit që ruhej në një depo në port. Ai premtoi një hetim transparent mbi aksidentin.

Shpërthimi tronditi Libanin përderisa vendi po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike, së bashku me rënien dramatike të vlerës së paundit libanez ndaj dollarit amerikan.

Shumë vende, përfshirë Turqinë, kanë nxituar të ofrojnë ndihmë urgjente për Libanin, i cili jo vetëm që po përpiqet të frenojë përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), por është kapluar edhe nga një krizë e paparë ekonomike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme