I dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, u shpreh entuziast për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një bisedë me portalin Balkan Insider me fokus mbi lajmet për Ballkanin, transmeton Zëri i Amerikës, Palmer foli për një numër zhvillimesh pozitive në rajon që i përshëndet si hapa përpara në rrugën drejt integrimit gradual euroatlantik.
Duke u ndalur tek Kosova, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do t’u shërbejë jo vetëm vendeve në dialog, por të gjithë rajonit:
“Një zgjidhje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve do të kishte ndikim të madh për stabilitetin në rajon dhe do të nxiste të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian”.
Shtetet e Bashkuara duan njohjen dypalëshe, tha ai, duke iu kundërvënë zërave se ka pasur diskutime për shkëmbime territoresh:
“Ne jemi të përqëndruar tek mbështetja e një procesi të udhëhequr nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës që, më idealja, do të kishte në thelb të saj njohjen e ndërsjelltë. Ngritja e idesë së shkëmbimit të territoreve, mendoj unë, e heq vëmendjen nga synimi qendror, i cili është që palët të ulen, të diskutojnë këto probleme dhe të identifikojnë rrugën përpara drejt normalizimit. Ne e mbështesim këtë proces. Prandaj mendoj se është jashtë teme dhe thjesht shpërqëndruese të diskutohen ide si shkëmbimet territoriale. Me rëndësi është që palët të ecin përpara për një marrëveshje që sjell zgjidhje përfundimtare”.
Duke folur për Gjykatën Speciale për Kosovën, Palmer tha se e mbështesin punën e kësaj gjykate:
“Shpresojmë se këto institucione të drejtësisë të arrijnë të përmbushin misionin dhe mandatin e tyre dhe përfundimisht të shpërbëhen në të ardhmen dhe drejtësia dhe shteti ligjor të jenë në duar e institucioneve të shteteve përkatëse”.
Sa i përket zhvillimeve në rajon, i dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Palmer përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
“Për ne ka rëndësi që të gjendet një partner i mirë në qeveri, të krijohet një qeveri që është e angazhuar për të shfrytëzuar sa më mirë dhe sa më shumë avantazhet e anëtarësisë në NATO, një qeveri që është e angazhuar për ta çuar Maqedoninë e Veriut përpara në rrugën e anëtarësimit në Bashkimit Evropian, e angazhuar për ët zbatuar Marrëveshjen e Prespës dhe për të avancuar paqen dhe begatinë për të gjithë qytetarët e vendit. Pavarësisht se çfarë qeverie del nga këto diskutime, nëse kjo qeveri është e angazhuar ndaj këtyre synimeve, do të gjejë tek Shtetet e Bashkuara një partner besnik”, theksoi Palmer.
Duke folur për zgjedhjet e fundit në Serbi, Palmer shprehu keqardhjen që opozita e pa të pamundur të përfshihej në zgjedhje. Zyrtari amerikan vuri në dukje me shqetësim shënjestrimin kohët e fundit të politikanëve të opozitës, organizatave mediatike dhe të shoqërisë civile në Serbi:
“Duam të shohim reforma që krijojnë kushte të barabarta dhe të drejta për angazhim; që i japin mundësi publikut në Serbi të ushtrojë të drejtat e tij të përligjshme për të zgjedhur nga një numër alternativash në fletëvotime”.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj një të ardhmeje euroatlantike për Serbinë, por shtoi se Serbia duhet të përmbushë standardet për këtë të ardhme, përfshirë reformat demokratike.
“Shpresojmë se Beogradi dhe qeveria serbe do të vazhdojnë t’i shohin Shtetet e Bashkuara si partnere në këtë proces, por nuk diskutohet se kanë përpara goxha punë”, tha Palmer.
*Ky material fillimisht u publikua në Zëri i Amerikës
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç
Foda beson se Kosova është në rrugën e duhur, falënderon tif...