Dënohen me 15 vjet burg dhe 2,600 euro gjobë të akuzuarit se grabitën të dëmtuarin nën kërcënim të armës

15:57 | 5 Gusht 2020
Arbresh.info

Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, i ka shpallur fajtorë të akuzuarit për grabitje në bashkëkryerje, Genti Vatnikaj, Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, i akuzuari Genti Vatnikaj është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

Ndërsa, të akuzuarit Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj janë dënuar me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe me nga 600 euro gjobë.

Sipas gjykatësit Zika të akuzuarit janë të obliguar që t’ia kompensojnë të dëmtuarit dëmin e shkaktuar në shumën prej 2490 euro.

Të akuzuarve u janë konfiskuar edhe veturat e markave “Opel Corsa” dhe “Renault Laguna”.

Gjykatësi Zika i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Pas shpalljes së aktgjykimit derisa trupit gjykues ishte duke dal nga salla, i akuzuari Vatnikaj iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shaqir Zika me fjalët “Ishalla t’run Zoti”.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 20 gusht 2019, të akuzuarit e kishin mohuar fajësinë lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohen.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e përpiluar më 19 korrik 2019, Genti Vatnikaj, Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, po akuzohen për veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje, nga neni 317 parag.3 lidhur me parag.1-31 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit më 14 maj 2019, rreth orës 18:30 në Gjakovë, me përdorim të forcës me qëllim për të sulmuar jetën dhe trupin në mënyrë të kundërligjshme ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Rron Krasniqi, në atë mënyrë që pasi më parë janë marrë vesh mes vete dhe i kanë ndarë rolet, të pandehurit Genti Vatnikaj dhe  Jonson Pnishi me automjetin “Opel Corsa” shkojnë te stacioni i autobusëve ku e marrin të dëmtuarin Krasniqi, kinse për ta furnizuar me substancë narkotike, ku më pas nisen në drejtim të Çabratit, ku i prisnin të pandehurit Simon Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, me automjetin “Renault Laguna”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Vatnikaj së bashku me të dëmtuarin pasi hyjnë në automjet ulen në pjesën e pasme, duke e lëvizur në drejtim të kishës, rrugë me lëvizje të pakta të qytetarëve, i pandehuri Vatnikaj merr revolen me dorën e majtë dhe ia drejton të dëmtuarit në bark, duke ia kërkuar të hollat, më pas i pandehuri Nikollbibaj, i ulur në ulësen e përparme të automjetit nxjerr revolen, të cilën ia drejton të dëmtuarit, duke i kërkuar që ti qes të gjitha paratë që i ka, ku më pas i dëmtuari nga frika nxjerr shumën prej 2490 euro, të cilat i lë në ulësen e automjetit, dhe më pas i pandehuri Vatnikaj nën kërcënimin e armës e kontrollon në xhepa ku gjen edhe një sasi të të hollave dhe i merr, dhe më pas e ndalin automjetin në skaj të rrugës dhe nën kërcënimin e armës e zbresin të dëmtuarin nga automjeti.  /BetimipërDrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme