UEFA ua cakton laboratorin për testet e Covid-19 klubeve kosovare që luajnë në Evropë

23:31 | 4 Gusht 2020
A. B.

Drita, Gjilani dhe Prishtina do ta përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane të stinorit të ri.

Gjithsesi, ky stinor pritet të ketë një fillim jo të zakonshëm. Restriksionet mes shteteve si shkak i pandemisë COVID-19 do të prekin edhe dy garat evropiane: Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

Tre klubet kosovare duhet të testohen para çdo udhëtimi në shtetet ku do t’i zhvillojnë takimet. E, UEFA ka dalë me vendim për vendin se ku mund t’i kryejnë testet skuadra kosovare.

Kreu i futbollit kosovar, Agim Ademi, në një prononcim për Gazeta Olle ka zbuluar më shumë detaje rreth udhëtimit të klubeve kosovare për t’i luajtur ndeshjet jashtë Kosovës.

“Sigurisht se tani për shkak të pandemisë globale të virusit COVID-19 do të ketë shumë vështirësi për ne. Ndalesa e dhënies së vizave Schengen, msata e marra të protokollit shëndetësorë, testiemt, udhëtimet, vendosja në hotel…të gjitha janë me rregulla të reja, kështu që do të jetë goxha problematike deri sa të arrijnë ekipet deri tek stadiumet apo fushat e lojës. Por, me gjithë problemet, ne do t’ia dalim. Këtu i ftojë klubet që të fillojnë punën dhe sa më parë t’i përfundojnë parapërgatitjet e të gjitha dokumenteve dhe organizimit të udhëtimit dhe sigurisht se të gjitha do ta kenë suportin e FFK’së”, u shpreh Ademi.

“Sa i përket testeve, ato janë të obliguara dhe sigurisht se tashmë klubet e kanë të njohur formën dhe rrugën e UEFA’s. UEFA ka kontraktuar një laborator gjerman Synlab, i cili është i shpërndarë me nënkontraktor në gjithë Evropën. Për ne në Ballkan selinë e ka në Maqedoni, në Kosovë nuk ka. Të gjitha klubet nga Kosova që do ta përfaqësojnë shtetin tonë në ndeshjet ndërkombëtare do të jenë të obliguara që testet t’i bëjnë atje”, shtoi tutje kreu i futbollit kosovar.

Sipas këtij të fundit, UEFA ka miratuar testimet vetëm në këtë laborator dhe për fat të keq nuk pranohen teste të tjera. “Edhepse IKSHPK’ja është shprehur e gatshme t’i bëj testimet, klubet e kanë pranuar këtë adresë nga UEFA (v.j. Synlab) dhe kjo është çështje e përfunduar nga UEFA. Adresa e Synlab për ne është dega në Shkup dhe testimi do të jetë i organizuar dhe i monitoruar”, u shpreh Ademi.

Një fat i ngjashëm e pret edhe Kombëtaren e Kosovës në futboll para ndeshjeve të Ligës së Kombeve, nëse nuk ndryshon diçka në rregulloret e UEFA’s deri atëherë.

“Mendoj se ndryshimi i vetëm do të ishte nëse ndonjë laborator në Kosovë do të licensojë nga shteti dhe do të arrinte marrëveshje me kontraktorin aktual të UEFA’s, në mënyrë që testimet të bëhen me modelin e përcaktuar nga ta dhe ato mostra e të dhëna të futen në sistemin e të dhënave në Austri ose Gjermani, si obligim i përcaktuar nga UEFA”, përfundoi Ademi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme