Koordinatori Shtetëror për Dialog, Skender Hyseni, së fundi ka marrë mbështetje për të drejtuar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Vizita e fundit në Uashington, arbresh.info merr vesh nga burime brenda kësaj partie, se lidhet edhe me këtë çështje, në kohën kur përfaqësuesit politik të LDK-së po shpërfaqin pakënaqësi të shumta brenda partiake.
“Ai po merr mbështetjen edhe për të drejtuar me partinë. Skender Hyseni është një prej politikanëve me më së shumti përvojë politike brenda LDK-së, dhe mund të vijë në krye të partisë, pas Isa Mustafës”, thotë ky burim.
Nënkryetari, Agim Veliu, aktualisht mbanë pozitën e Ministrit të Brendshëm, dhe së fundi është emëruar edhe Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit. Angazhimet e tij, ky burim thotë se do të vazhdojnë të jenë në këto pozita, duke e përjashtuar nga “gara” edhe nënkryetarin tjetër të partisë, Lutfi Hazirin.
Haziri, është një prej “pretendentëve” që synon të pasojë Isa Mustafën, por nga ana tjetër vazhdon të shprehet kritik për qeverisjen e Avdullah Hotit, derisa përkrahë hapur në vazhdimësi Vjosa Osmanin. Në qershor të këtij viti Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti. Ajo u shkarkua mbi pretendimin se “ka shkelur statutin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti”.
Isa Mustafa, në një deklarim të sotëm ishte i ashpër kundrejt kritikëve të partisë duke i quajtur “strucë” ata që nuk reaguan në lidhje me lutjet për shërim të shpejtë për kryeministrin, Avdullah Hoti.
Kryeministri Hoti, një ditë më parë bëri të ditur se ka rezultuar pozitiv pasi ishte testuar për Covid-19 rreth orës 16:00.
Paraditen e të dielës, gjatë një vizite nëpër bizneset e Dragashit ai llogaritet të ketë patur kontakt me shumë persona.
Ai u kritikua se ka thyer rregullat të cilat po proklamon secilën ditë, në lidhje me mbrojtjen nga COVID-19, duke mos u izoluar me kohë.
Angazhimin e tij politik, Skender Hyseni e ka filluar me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1989, për tu angazhuar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) më 1992 si gazetar dhe përkthyes.
Ka qenë njëri nga redaktorët dhe bashkëthemeluesit e Kosova Daily Report (buletin lajmesh në gjuhën angleze).
Pas zgjedhjes së Ibrahim Rugovës, president i Kosovës më 1992, Hyseni i bashkëngjitet ekipit të ngushtë të tij, për t’u bërë njëri nga këshilltarët e tij kryesorë në prag të konferencës së Rambujesë, ku ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës.
Pas luftës së Kosovës, Hyseni ka vazhduar të jetë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, si këshilltar i parë i presidentit Rugova, deri në vdekje të këtij të fundit.
Ka vazhduar të jetë këshilltar kryesor politik edhe i presidentit Fatmir Sejdiu.
Anëtar i të gjitha delegacioneve të Kosovës në bisedimet për status, Skënder Hyseni, njëherazi edhe zëdhënës i Ekipit Negociator të Kosovës.
Më 3 prill 2008, Hyseni ishte emëruar Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.
Më 9 dhjetor 2014, Hyseni ishte emëruar Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga lideri i LDK-së Isa Mustafa./arbresh.info/
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...