Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së afërt (IFIMES) me seli në Lubjanë, në analizën e vet të radhës rreth Ballkanit Perëndimor ka sjellë në pah faktin se pas 18 muajsh nga ndërprerja e dialogut midis Beogradit zyrtar dhe Prishtinës, dialogu ka rifilluar më 16 korrik 2020.
Në këtë drejtim, shkruan IFIMES, përveç rifillimit të dialogut, të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ekipe ekspertësh të pjesëmarrësve në dialog, të cilët tashmë janë takuar disa herë, kanë rifilluar operimet.
Por, siç vë në pah ky institut, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po akuzohet nga Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, nuk po merr më pjesë në dialog.
Dhe siç vlerëson IFIMES, “marrëdhëniet midis Beogradit zyrtar dhe Prishtinës janë shumë komplekse dhe nuk mund të shihen përmes prizmit ‘bardh e zi’”, duke shtuar se “rifillimi i dialogut ka më shumë se domethënie simbolike”.
“Kryeministri Hoti është ‘fytyra e re’ në tryezën e bisedimeve dhe përfaqëson Kosovën në një kohë kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me aktakuzë për krime lufte, dhe kriza e pushtetit në Kosovë, e cila filloi gjatë pandemisë COVID-19, vazhdon. Fuqia e pabarabartë e pjesëmarrësve në dialogun e rinovuar midis Kosovës dhe Serbisë është e dukshme, sepse në Kosovë, kryeministri Hoti nuk ka peshën dhe mbështetjen politike për të vazhduar dialogun”, konsideron më tej IFIMES.
“Ekziston një opozitë e fortë në parlamentin e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilat besojnë se qeveria aktuale nuk ka asnjë legjitimitet për të zhvilluar një dialog”.
Sipas analizës së IFIMES, dialogu nuk do të jetë përsëri i thjeshtë, sepse fokusi do të jetë përsëri në çështjen e dhimbshme të personave të zhdukur, por edhe në mos përmbushjen e asaj që është rënë dakord dhe nënshkruar në Bruksel në prill të vitit 2013, dhe ky është Asociacioni i Komunave Serbe.
“Se dialogu midis Beogradit zyrtar dhe Prishtinës nuk mund të vërehet përmes një marrëdhënieje ‘bardhë e zi’, konfirmohet edhe me fjalët e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdimisht ka thënë: ‘Ne mund të flasim për gjithçka, nëse është një kompromis. Dhe që shqiptarët të marrin gjithçka dhe Serbia nuk merr asgjë – kurrë nuk do të merrni nënshkrimin tim. Ju nuk do të keni mbështetjen time për këtë. Në këtë moment, unë jam presidenti i Serbisë dhe ju mund të gjeni dikë tjetër që do të dëshirojë ta pranojë atë pa asnjë kompromis, duke ndjekur vetëm ultimatume’”, thuhet ndër tjerash në analizën e institutit IFIMES.
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...