Versioni i Gjuriq për takimin në Bruksel: Patëm biseda të vështira për kthimin e të zhvendosurve

17:42 | 30 Korrik 2020
L G

Të enjten në Bruksel është zhvilluar takimi i dytë brenda një jave, në nivel ekspertësh, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për këtë proces, Mirosllav Lajcak.

Kosovën e ka përfaqësuar koordinatori për dialog, Skender Hyseni, derisa Serbinë, drejtori i të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovë, Marko Gjuriq.

Gjuriq ka deklaruar pas takimit se sot u zhvilluan bisedimet “shumë të vështira”  për kthimin e personave të zhvendosur dhe pozitën e tyre.

Sipas tij, “212 mijë serbë dhe joshqiptarë” kanë ende një status të pazgjidhur, nga të cilët 196 mijë janë të dislokuar ende në Serbi, 76 për qind e serbëve.

“Sot, ne kemi pasur një përgjegjësi të madhe që në bisedime me Prishtinën të përpiqemi t’i afrojmë qëndrimet tona dhe të krijojmë parakushte institucionale dhe politike që kthimi të bëhet përfundimisht”, ka thënë Gjuriq.

Megjithatë, bazuar në të dhënat që disponon Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë – UNHCR, nga viti 2016 jashtë Kosovës llogaritet se janë rreth 107 mijë të zhvendosur. Prej tyre, 88 mijë janë në Serbi, më shumë se 1.400 në Mal të Zi dhe rreth 617 persona në Maqedoni të Veriut.

Zyrtarë të BE-së konfirmuan gjatë ditës se në agjendë të bisedimeve sot janë personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.

Bashkimi Evropian të enjten ka thënë se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet pasi të gjitha palët të pajtohen për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të bien dakord që normalizimi mund të vazhdojë në formën e marrëveshjes së nënshkruar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme