Google ADS

Vendoset lapidari dhe pllaka përkujtimore në nderim të martirëve të rrugës së Kovaçëve në Mitrovicë 

14:11 | 30 Korrik 2020
Arbresh Info

Në 21 vjetorin e masakrës më të madhe në qytetin e Mitrovicës, ku ishin vrarë 31 bashkëqytetarë nga ana e forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, përfaqësues të institucioneve komunale sot kanë vendosur lule dhe kanë bërë homazhe tek lapidari dhe pllaka e re përkujtimore me emrat e viktimave, investim ky nga Komuna e Mitrovicës, transmeton arbresh.info.

Në nderimin e martirëve ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, drejtorë të drejtorive komunale, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi, familjarë të viktimave, si dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri tha se institucionet e vendit kanë obligim ndaj martirëve të kombit, sepse pa gjakun e tyre, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur. Ai tha se drejtësia duhet në fund të thotë fjalën e vet për këtë masakër, duke i dënuar kryesit e veprave makabre me burgim të merituar.

Ndërkaq, nënkryetari Mujka, potencoi se kjo ditë është e rëndë dhe pikëlluese, pasi që memoria dhe mendimet kthehen 21 vite pas, por gjithsesi tek familjarët duhet të mbretëroj krenaria për kontributin që kanë dhënë martirët që ne sot të jemi të lirë.

“Ne jemi mbledhur këtu të bëjmë përurimin e lapidarit kushtuar këtyre martirëve të lagjes së Kovaçëve të vrarë në 1999 në këtë vend, i cili besojmë se do të shërbejë t’i nderojmë, t’i përkujtojmë, por edhe t’i falënderojmë, sepse falë sakrificës së tyre ne e gëzojmë lirinë sot. Ky vend medoemos duhet të jetë vend i bashkimit, kujtimit, por edhe mësimit që historia dhe krimi të mos harrohen asnjëherë. Sepse pa drejtësi nuk ka qetësi dhe pa drejtësi nuk ka falje”, tha ndër të tjerash nënkryetari Mujka./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme