Google ADS

Receta speciale e bakllavasë nga Stambolli, urime Kurban Bajramin

08:39 | 30 Korrik 2020
Arbresh Info

Bakllavë turke e përgatitur nga mjeshtrit e Stambollit

Jemi në prag të festës së Kurban Bajramit e cila karakterizohet me ëmbëlsirën me origjinë nga Turqia, bakllavanë. Po thuajse në çdo shtëpi ku festohet kjo festë shërbehet kjo ëmbëlsirë. Përdoren shumë receta për bakllavanë. Por nëse doni të përgatisni bakllavanë turke njësoj si e përgatisin mjeshtrit e Stambollit ndiqni recetën e plotë si më poshtë:

Receta e bakllavasë

Porcione:12 persona

Koha e përgatitjes: 20 minuta

Koha e pjekjes:50 minuta

Përbërësit:

1 filxhan çaji gjalpë i shkrirë

24 petë të gatshme ose të holluara vetë

400 gr fëstëkë dhe lajthi të qëruara dhe të grira

2 lugë çaji kanellë

Sherbeti:

450 gram sheqer 420 ml ujë ½ lëngu i një limoni të madh

1 tepsi pjekjeje normale

Për spërkatje nga lart:

Fëskëtë

Përgatitja:

Para-ngrohni furrën në 160 gradë C. Fillimisht përgatisni sherbetin. Shtoni sheqerin në një tenxhere të madhe, hidhni ujin dhe vendoseni të ziejë duke përzierë gjatë gjithë kohës.

Kur sheqeri të jetë shkrirë, ulni nxehtësinë dhe shtoni lëngun e limonit dhe lëreni 15 minuta në zjarr të ulët derisa sherbeti të jetë trashur.

Lëreni mënjanë të ftohet. Lyeni me gjalpë të gjithë tepsinë nga anët dhe në brendësi. Që petat të jenë perfektë duhet që një natë më parë t’i keni lënë në frigorifer dhe t’i nxirrni 2 orë para përdorimit.

Shtroni dy peta në fund të tepsisë dhe lyejini me gjalpë, të njëjtën gjë bëni derisa të keni përdorur 12 peta duke i lyer dy e nga dy me gjalpë.

Prijini cepat e petave nëse ato dalin në buzët e tepsisë. Shtoni sipër lajthitë dhe fëstëkët mbi petën e 12-të dhe hidhni sipër kanellë dhe vazhdoni si më parë derisa të kenë mbaruar petët.

Lyeni petën e fundit mirë me gjalpë dhe me ndihmën e një thike priteni në copa të vogla në vija paralele. Futeni të piqet për 45 minuta derisa të marrë një ngjyrë të artë dhe 5 minutat e fundit rriteni gradimin.

Kur bakllavaja të jetë gati fikeni dhe nxirreni nga furra dhe ngadalë shtroni sherbetin e ftohtë. Futeni 2-3 minuta në furrë sërish që të përthithë sherbetin, më pas nxirreni dhe lëreni të ftohet. Kur bakllavaja të jetë ftohur shtoni sipër fëstëkë të plotë.

Sekret:

Bakllavaja nuk duhet të ruhet kurrë në frigorifer, pasi yndyrat mblidhen, brumi absorbon të gjithë lëngun dhe bakllavaja bëhet e fortë.

 

Të ngjashme