Në një video konferencë të organizuar nga Këshilli Atlantik me seli në Uashington, udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë pajtuar për veprime “të guximshme e praktike për të ndihmuar rajonin që të dalë më i fortë nga ndikimi i COVID-19 me mundësi më të mëdha të zhvillimit ekonomik.
Në një dokument të përbashkët ata thanë se janë pajtuar që ”të përshpejtojnë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në rajon, duke eliminuar problemet që kanë penguar rritjen ekonomike; të ndjekin një plan për të tërhequr investime të reja të huaja të drejtpërdrejta në rajon dhe për të përshpejtuar shpërndarjen e fondeve të zotuara të rimëkëmbjes nga COVID-19, me një përqendrim në infrastrukturën dhe energji.
Damon Uilson nga Këshilli Atlantik tha se udhëheqësit janë zotuar “të përmirësojnë bashkëpunimin politik dhe marrëdhëniet fqinjësore si dhe të përpiqen që të zgjidhin problemet dypalëshe në rajon”, ndërsa vlerësoi lartë faktin se takimi i sotëm dëshmoi angazhimin transatlantik rreth rajonit të Ballkanit Perëndimor.
I dërguari i posaçëm amerikan për rajonin, Matthew Palmer, mbështeti pajtimin e arritur ndërmjet udhëheqësve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërsa ritheksoi përkrahjen për proceset integruese të tyre përfshirë edhe procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Ne kemi pikëpamje të njëjta për të ardhmen dhe vendet e Ballkanit Perëndimor i shohim si anëtare të BE-së, si vende që kanë bërë reforma të domosdoshme dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian punojnë në partneritet”, tha ai duke vënë theksin tek përpjekjet e Shqipërisë edhe Maqedonisë se Veriut për të bindur siç tha Këshillin Europian që të hapen negociatat për anëtarësim.
“Marrëveshja e 5 qershorit në Shqipëri për reformën zgjedhore pasqyron bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha zoti Palmer, duke nënvizuar ndërkaq rolin e Bashkimit Europian dhe të dërguarit të posaçëm evropian, Miroslav Lajcak, për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Shtetet e Bashkuara fuqishëm, publikisht mbështesin këtë proces dhe rolin e zotit Lajçak si dhe nxisin të dyja palët që të bëjnë papara”, tha ai, duke shtuar se ka një përmbajtje të fortë të qasjes transatlantike ndaj Ballkanit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha ndërkaq se ekzistojnë mosmarrëveshje të natyrës politike në rajon, duke vënë theksin tek marrëdhëniet me Kosovën.
“Nuk është faji i Avdullah Hotit apo imi…ne duhet që, të paktën, të provojmë të bëjmë më të mirën për ta zgjidhur këtë çështje, edhe pse nuk jam krejtësisht optimist për këtë”, tha ai.
Sipas tij ekzistojnë një mori pengesash, të cilat do të mund të hiqeshin, përfshirë procedurat e shumta doganore që ekzistojnë në mes të vendeve të rajonit, ndërsa nënvizoi se 17 për qind e të gjithë eksportit të Serbisë shkon në vendet e rajonit.
“Edhe nëse ne i bashkohemi Bashkimit Evropian përpara disa vendeve, ne do të mbesim në rajon dhe bashkëpunimi mes nesh, do të mbetet pëprrësi e Serbisë”, tha presidenti serb.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha po ashtu se ka ende shumë pengesa për bashkëpunimin ekonomik.
“Ne kemi punuar shumë që ta integrojmë rajonin, por duhet ta pranojmë se rajoni është ende i fragmentuar në një shkallë të lartë, sa i takon integrimit ekonomik. Pse? Sepse, ende ka shumë barriera sa i takon burokracisë. Legjislacioni ndoshta… Ne ende nuk kemi lidhje të plota infrastrukturore mes shteteve tona”, tha kryeministri Hoti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ekonomitë e vendeve të rajonit janë goditur rëndë nga pandemia e COVID-19-tës dhe duhet kompensuar me jetësimin e bashkëpunimit rajonal.
Ai përmendi nismën për “Shengenin e Ballkanit Perëndimor” që do të ndikonte në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal ndërsa bëri thirrje që idetë e tilla të mos politizohen, sepse nuk paraqesin zëvendësim për proceset integruese të rajonit.
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...