Google ADS

Covid-19, test i detyrueshëm për udhëtarët që hyjnë në Gjermani

19:52 | 28 Korrik 2020
Arbresh Info

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se “do të urdhërojë testimin e detyrueshëm për Coronën për udhëtarët që vijnë në Gjermani nga zona me rrezik të lartë”. Kjo i shërben mbrojtjes së të gjithë qytetarëve. “Ne duhet të parandalojmë që udhëtarë që kthehen nga zona me rrezik të infektojnë pa u vënë re të tjerë dhe të shkaktojnë kështu zinxhirë të rinj infektimi,” tha politikani i CDU-së.

Testet për udhëtarët do të jenë falas. Testimet e detyrueshme pritet të hyjnë në fuqi javën e ardhshme. Personat testi i të cilëve rezulton pozitiv, duhet të qëndrojnë për dy javë në karantinë.

Spahn njoftoi se testimi me detyrim bazohet në Ligjin për Mbrojtjen ndaj Infeksioneve dhe sipas konstatimit nga ana e Bundestagut në rastin e Coronës kemi një situate epidemike që ka përfshirë gjithë vendin. Për këtë shkak Ministria Federale e Shëndetësisë do t’i detyrojë udhëtarët që vijnë në Gjermani dhe që kanë qenë të ekspozuar ndaj një rreziku të shtuar infektimi që t’i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor. Pas heqjes së masave kufizuese miliona gjermanë janë nisur sërish për pushime brenda dhe jashtë vendit.

Vendet e rrezikshme

Lista me vendet që konsiderohen si zona me rrezik të shtuar infeksioni përcaktohet nga qeveria federale gjermane dhe Instituti gjerman për Sëmundjet Infektive “Robert Koch” (RKI). Sipas ministrit federal të Shëndetësisë ndër këto vende bëjnë pjesë Turqia apo vendet e Ballkanit Perëndimor. Kriter qendror për këtë klasifikim është numri i të infektuarve rishtaz gjatë shtatë ditëve të kaluara për 100.000 banorë.

Si të rrezikshme konsiderohen ato shtete ose rajone në të cilat gjatë shtatë ditëve të kaluara ka pasur më shumë se 50 vetë të infektuar rishtas për 100,000 banorë. Udhëtarët që vijnë nga vende që konsiderohen të parrezikshme mund të testohen vullnetarisht brenda 72 orëve – por jo në aeroport, por në klinika mjekësore ose tek Drejtoritë e Shëndetit Publik. Edhe këto testime do të jenë falas.

Mungesë imuniteti edhe pas infektimit me Corona

Frika prej infektimeve të reja me Corona është shtuar edhe sepse ndërkohë, u bë e njohur se pacienti i parë gjerman që u infektua me Corona, e humbi imunitetin ndaj virusit. Pra rreth tre muaj pas infektimit, ai nuk kishte më antitrupa mbrojtës që mund ta mbrojnë nga një riinfektim. “Që nga muaji prill pacienti nuk ka më antitrupa neutralizues ndaj Covid-19” thanë mjekët. Gjithësesi ai nuk ka pasur deri tani pasoja në mushkëri prej infektimit me Covid 19, thanë mjekët./DW/

 

Të ngjashme